Kurti i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të respektojë legjislacionin në fuqi

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar sot Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës një parashtresë përmes të cilës ka theksuar shqetësimet e Qeverisë në lidhje me procedurat që po zhvillohen pranë kësaj Gjykate pas kërkesës së dorëzuar nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese gjatë zhvillimit të procedurave. Ai i ka kërkuar Gjykatës që të respektojë afatet ligjore të përcaktuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese i cili i njeh Qeverisë një afat prej 45 ditësh për t’u përgjigjur në kërkesën e dorëzuar, dhe jo një afat 4 ditor sikurse e kishte theksuar Gjykata në njoftimin e saj.

Po ashtu, ai theksoi shqetësimin se për dallim nga rasti konkret, ku po procedohet me kërkesën e deputetëve të Kuvendit, ndonëse të njëjtit nuk e kanë qartësuar dhe saktësuar kërkesën e tyre, në praktikën e Gjykatës Kushtetuese ka disa raste të cilat janë refuzuar në procedurë të shkurtër sipas Rregullit 35.5 të Rregullores së Punës së Gjykatës.

Për fund, Kryeministri në detyrë ritheksoi faktin se Qeveria me tërë kapacitetin e saj është e përkushtuar në luftën kundër infeksionit COVID-19 dhe pret që Gjykata, ngjashëm sikurse institucionet ekuivalente me të në shtetet perëndimore, të tregojë kujdes të veçantë ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve.