Kurti: Nuk kemi kohë për pingpong politik

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Gjilan, u deklarua edhe rreth situatës politike në Kosovë. Në pyetjen nëse në takim me kreun e Gjilanit, njëkohësisht nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri është biseduar edhe për bashkëpunim politik, Kurti tha se nuk është koha të shpërqendrohen në tema të tjera. Shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh se nuk kanë kohë për të humbur me çështjet e pingpongut politik.

“Jam shumë i vullnetshëm si kryeministër në detyrë që të mos shpërqendrohemi nga temat e tjera kur s’mund të ketë prioritet tjetër përveç se shëndeti publik. Takimi i sotëm dhe takimi tjetër që do të jetë në Komunën e Dardanes me kryetarin atje do të jenë ekskluzivisht për çështjen e pandemisë, përkatësisht parandalimin e përhapjes s ë saj, andaj edhe nuk kemi kohë për të humbur me çështjet e pingpongut politik. Pra, nuk mund të ketë temë tjetër kur s’mund të ketë prioritet tjetër”, u shpreh Kurti.

Kurti këmbënguli se janë të angazhuar maksimalisht në luftimin e pandemisë sepse nëse do të shpërqendroheshin në çështje të tjera do të dobësonim veten në këtë front jetik për shëndetin politik të qytetarëve.

Ai tha se do të ketë edhe një takim të Qeverisë së Kosovës ku do të diskutohet për masat që do të merren në vijim në lidhej me kufizimin e lëvizjes pasi vendimi aktual është shpallur jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese dhe do të shfuqizohet më 13 prill.

“Sot do të kemi gjithashtu një takim në qeveri, takim online dhe për këtë kryetarin Haziri e njoftoi edhe ministri ynë i Shëndetësisë, Vitia, lidhur me atë se si do të vazhdojë me masat në vijim në mënyrë që të kemi kufizimin e lëvizjes sepse lëvizje e njerëzve potencialisht është lëvizje e virusit, por në anën tjetër, të krijojmë edhe hapësirën për bizneset tona sepse krahas shëndetit të njerëzve që ka prioritet, duhet të kemi kujdes edhe për shëndetin e ekonomisë por gjithnjë me këtë renditje në të cilën përmenda”, tha Kurti.

Kryeministrit kosovar iu kërkua që të komentonte edhe deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë që tha se Kosova po detyron Serbinë që ta njohë Kosovën përmes masës së reciprocitetit. Ai tha se nuk e ka lexuar ende një deklaratë të tillë, mirëpo tha që s’do mend që nuk iu ka pëlqyer sepse i njohim prej kohësh.

“Unë nuk e paskam lexuar ende atë deklaratë me thënë të drejtën, por natyrisht që reciprociteti buron nga koncepti i barazisë dhe s’do mend që atyre s’iu ka pëlqyer sepse e dimë si janë dhe i njohim moti”, përfundoi Kurti.