Kurti shkarkon këshilltarin Shkëlzen Gashi

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka shkarkuar sot këshilltarin e tij politik Shkëlzen Gashi.

Shkarkimi i Gashit vjen pas deklaratave të tij, një ditë më parë, ku akuzonte pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vrasjen e serbëve gjatë luftës në Kosovë.

“Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi”, ka bërë të ditur Kurti përmes një postimi në Facebook.

Kurti ka bërë të ditur se ka shkarkuar Gashin, duke thënë se “disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë. Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim”.

“E falenderoj për kontributin e dhënë. E çmoj për mendimin kritik. Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, ka thënë Kurti, përcjell ALBAZONE MEDIA.

Kujtojmë se dje (24 prill, 2020) Gashi ka thënë se disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime ndaj civilëve të pafajshëm, qëndrim ky që ka ngjallur reagime të shumta në mbarë vendin.

Ndaj deklaratës së këshilltarit të kryeministrit në detyrë kanë reaguar edhe udhëheqës të organizatave të ndryshme, shoqërisë civile, parti politike, deputetë e politikanë.

Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte reaguar pas deklaratës së këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, duke thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare.

Shumë përdorues të rrjeteve sociale kanë filluar që në fotografinë e tyre të profilit ta vendosin emblemën e UÇK-së si shenjë mbështetjeje për pjesëtarët e saj.