Mijëra punonjës marrin “Pagat e Luftës”/ Rama: Mund të zgjerojmë paketën e ndihmës

Shpërndaje

Kryeministri Rama ka dhënë informacion mbi pagat e luftës për biznesin e vogël që ka mbyllur aktivitetin si pasojë e kësaj situate të shkaktuar nga Covid 19.

Sipas kreut te qeverisë, 9,506 punonjës e të vetëpunësuar dhe mbi 5,600 biznese kanë përfituar këtë të hënë, Pagën e Luftës të ofruar si mbështetje e drejtpërdrejtë nga qeveria.

Mbi 36,400 biznese të fashës 0-14 mln (140.000USD) xhiro në vit, me mbi 61 mijë të punësuar e vetëpunësuar, kanë dorëzuar aplikimet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të marrë Pagën e Luftës.

Rama shtoi se për të gjithë të punësuarit e pamundësuar për punë nga lufta në sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë, qeveria po vlerëson, sipas tij, mundësitë për të adresuar hallin e tyre në Paketën e Zgjeruar.

Çdo vend pune është jetik për ata që e kanë dhe për familjen tonë të madhe. Ndaj së bashku me çdo kompani e punëdhënës, por edhe në reflektim të solidaritetit e përgjegjshmërisë së tyre sociale, ne do të bëjmë çmos ta mbajmë aktive këtë armatë punonjësish, që nesër do të jenë në vijën e parë të betejës për shërimin e ekonomisë sonë të plagosur nga lufta.