Muaji i pazakontë i Ramazanit, besimtarja shpërthen në lot: Më ka marrë malli për xhaminë

Shpërndaje

Muaji i Shenjtë i Ramazanit këtë vit ka nisur krejt ndryshe. Besimtarët myslimanë nuk do të kenë mundësi të kryejnë ritualet fetare, për shkak të pandemisë COVID-19 e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha sociale dhe ekonomike jo vetëm në vendin tonë, por edhe në shtetet të tjera të globit.

“U largoftë sa më shpejt virusi dhe u haptë sa më shpejt xhamia të falemi se na ka marrë malli”, tha një besimtare. Kjo besimtare nuk e kishte menduar ndonjëherë se në muajin e Ramazanit nuk do të mund të falej në xhami.

“Falemi në shtëpi dhe agjërojmë në shtëpi. Kënaqësia jonë është që gjithë populli të kënaqet”, shtoi ajo.

E njëjta ndjesi është edhe për besimtarë të tjerë.

“E kemi prit muajin e Ramazanit me gëzim të madh, por na kufizoi pak kjo corona. Kemi një boshllëk të madh, një mangësi të madhe kemi. Pse do të thuash ti? Sepse në muajin e Ramazanit mblidhen myslimanët, shtrohen Iftaret, gëzimin që e kemi prit në muajin e Ramazanit ne prapë se prapë do ta bëjmë, por me mangësi dhe jo aq të kënaqur”, tha një tjetër besimtar.

Por çfarë do të thotë për një imam ta shohë xhaminë bosh?

“Jemi të mërzitur në vetvete, por është ta kapim një fjalë tjetër; si puna e nënës kur ia kthen shpinën fëmijës së vet. Kështu i duket një imami kur largohet nga xhamia dhe nuk ka xhematë. Kjo është situata”, tha imami i xhamisë së Paskuqanit, Ramiz Aliu.

Por, ajo që nuk do të mungojë gjatë muajit të Ramazanit do të jetë ndihma për shtresat në nevojë. Imami i xhamisë “Dine hoxha” në Tiranë, Ahmet kalaja na thotë se kjo nismë do të vazhdojë dhe se pakot ushqimore u ndahen të gjithë pa dallim feje.

“Ramazan ndryshe në krahasim seç ka qenë më përpara. Mirëpo, përderisa u është shpjeguar njerëzve se kjo ka të bëjë me shëndetin, me jetët e njerëzve dhe pamundësia e vënies nën kontroll të situatës, na ka bërë që të ndërmarrim këtë veprim. Sepse ne, sidomos hoxhallarët dhe imamllarët e ndjejmë shumë situatën, por kemi pasur mirëkuptim të plotë nga ana e besimtarëve, sepse janë prekur emocionalisht. Ndërsa sa i përket sadakasë, ajo është një lëmoshë që quhet “Lëmosha speciale e Ramazanit” dhe pastaj para Bajramit shpërndahet për njerëzit e varfër, dhe ajo njësoj si këto raste siç po bëjmë tani. Shpërndarja nuk mund të pengohet, sepse ne si staf të gjithë kemi nxjerrë leje”, tha ai.

Ndonëse besimtarët myslimanë nuk do të mund të shkojnë në xhami, ata mund t’i ndjekin online ritet fetare përgjatë muajit të ramazanit./euronews.al