NATO formon ekip për luftë me kërcënimet hibride në Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

NATO-ja formon ekipe për luftë me kërcënimet hibride në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, pasi lajmet e rreme dhe dezinformimet e Rusisë dhe Kinës morën hov të madh me krizën e pandemisë nga virusi korona në Ballkanin Perëndimor, deklaroi për MIA-n ambasadorja e SHBA-së në Aleancë, Kej Bejlli Haçinson.

“Aleanca pret nga Shkupi informacione shtesë për formimin e një ekipi të tillë edhe për Maqedoninë e Veriut, ndërsa qëllimi i të cilit është përgatitje e medieve në vend se si t’iu përgjigjen fushatave të dezinformimit nga Rusia”, deklaroi ambasadorja në video brifingun e sotëm onlajn për gazetarët në Uashington, duke potencuar se ekipi në mal të Zi tashmë është caktuar.

Sipas ambasadores, si anëtare më e re e NATO-s, Maqedonia e Veriut është cak i posaçëm i fushatës së dezinformimeve të organizuara nga Kremlini.

“Në Maqedoninë e Veriut përhapen shumë lajme të rreme sa i përket virusit korona dhe ndihmës në pajisje që NATO-ja i dha aleates për ballafaqim me krizën në situata të jashtëzakonshme”, shtoi Haçinsoni.

Sipas saj, dezinformimet nga Rusia bëhen tashmë një kohë të gjatë, që kur Maqedonia e Veriut kërkoi që të bëhet anëtare e NATO-s dhe vazhduan kur pranimi i vendit në Aleancë ishte konfirmuar.

Liderët e aleancës ushtarake miratuan krijimin e ekipeve për luftë me kërcënime hibride në korrik të vitit 2018. Këto ekipe sigurojnë ndihmë të specializuar, e kërkuar nga aleatët, për ballafaqim dhe përgjigje për kërcënimet hibride.

Haçinsoni iu bën thirrje aleatëve të NATO-s që të kundërshtojnë dezinformimet nga Rusia dhe Kina sa i përket virusit korona, duke theksuar se askush nuk ka pritur se në kohë të pandemisë botërore, kundërshtarët e Aleancës do ta shprehin pakënaqësinë e tyre pikërisht kështu.

“Ata rrejshëm njoftojnë se dërgojnë ndihmë, ata rrejshëm njoftojnë se ky virus ishte paraqitur ose në Evropë pse në SHBA, varësisht se cila media e plason informacionin. Kjo është absolutisht gënjeshtër, dhe po tentojmë të përgjigjemi në informacionet e pasakta me fakte”, porositi Haçinsoni.

Ambasadorja tha se e gjithë kjo është pjesë e luftës së vazhdueshme hibride dhe kibernetike “me të cilën jo vetëm që po tentojnë të përhapin pakënaqësi, por edhe ta zhvlerësojnë lidershipin tonë në kohë kur shoqëritë perëndimore kërkojnë liderë për ballafaqim me sigurinë dhe ndihmën që iu nevojitet në kohë krize”./MIA/