Nënkryetarja e Vetëvendosjes tregon se kur mund të mbahen zgjedhjet

Shpërndaje

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, ka thënë që në situatën në të cilën ndodhemi, secili prej nesh duhet ta ketë prioritet luftimin e pandemisë.

“Meqë jemi në mesin e një pandemie globale për mua prioritet është shëndeti publik dhe çdo gjë këto ditë, i gjithë angazhimi im është i përqendruar për luftimin e pandemisë. Duhet të sensibilizojmë qytetarët më shumë për situatën që ndodhemi. Sot nuk mendoj që janë kushtet për të zhvilluar dialog me Serbinë. Çdo qeveri e përgjegjshme dhe çdo njeri që e ushtron një post të rëndësishëm, e ka prioritet shëndetin. Nëse nuk jemi të përgjegjegjshëm situata mund të jetë më serioze”, ka thënë Kollçaku.

Kollçaku në një intervistë në Klan Kosova, ka thënë që kriza institucionale që është krijuar në mënyrë të padrejtë ia ka lidhur duart qeverisë në detyrë.

“U votua mocioni në kohën e pandemisë. Kushdo që e pengon sot punën e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk mendoj që ia do të mirën këtij vendi”.

Sipas Kollçakut, nuk është nevoja që të ngutemi dhe zgjedhjet duhet të mbahen pasi të shfuqizohen masat emergjente.

“Krerët e partive politike sot në mënyrë të paturpshme mundohen që pa votë të qytetarëve të marrin pushtetin. Kundërshtatët më të mëdhenj të taksës sot flasin për koalicion”.

“Isa Mustafa tash flet për krijimin e qeverisë në kohën e pandemisë, në kohën kur qytetarët janë të mbyllur në shtëpi”.

“Sot vetëm ai që i ka fituar zgjedhjet ka kredibilitet ta vazhdojë këtë mandat. Kjo qeveri është duke dhënë prova çdo ditë që po menaxhon suksesshëm situatën e krijuar nga Coronavirusi. Të shfuqizohen masat emergjente dhe pastaj mund të shkojmë në proces të rregullt zgjedhor”.

“VV në këtë moment është ushtar në shërbim të MSH-së dhe ndihmës për kalim të situatës”.