Piku i pandemisë së virusit në vend, pas 2-3 javësh

Shpërndaje

Dy viktima të reja nga Covid 19, njëri nga Kumanova dhe tjetri nga Llabunishta. Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar 72 raste të reja me virusin korona, duke e çuar numrin e pacientëve në 555. Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, Maqedonia hyn në fazën e dytë të pandemisë. Kjo do të thotë që mundësia dhe rreziku i bartjes së virusit nga personi në person është rritur. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe informoi se nesër Qeveria mund të propozojë masa më rigoroze për parandalimin e virusit korona, pa zbardhur se çfarë konkretisht.

Numri i të prekurve gjatë ditëve dhe javë të ardhshme do të rritet më shumë. Ende mbetet parashikimi që kulmi i sëmundjes të jetë kah fund i muajit prill, dhe presim diku rreth 2,000 pacientë, megjithëse shumë faktorë kanë ndikuar në këto parashikime. U bëj thirrje qytetarëve që të respektojnë në maksimum masat. Të minimizohen kontaktet fizike dhe qytetarët të mbrohen nga çdo komunikim apo lëvizje e rrezikshme. Një nga problemet kryesore është se ekzistojnë bartës asimptomatikë të virusit, dhe përhapja e këtyre bartësve mund të parandalohet vetëm duke qëndruar në shtëpi, respektivisht në izolim- deklaroi Venko Filipçe – ministër i shëndetësisë.

Në 24 orët e kaluara shumica e rasteve janë regjistruar në Kumanovë, 21 persona, më pas vjen Shkupi me 14, Tetova 12, Prilep 9, Koçani 7, nga dy raste të reja ka në Manastir dhe Krushevë, ndërsa nga një rast të regjistruar ka në Gostivar, Strugë, Veles, Radovish dhe Shtip. Më së shumti të infektuar ka në Shkup – 235, pasuar nga Kumanova me 114, Dibra me 48, Prilepi 33, Tetova 29, Struga 24, Shtipi 19, Koçani 14, Velesi 10, Manastiri 6, Gostivari dhe Gjevgjelia 4, nga tre në Ohër dhe Radovish dhe gjithsej dy raste janë regjistruar në Kavdar, Strumicë, Kriva Palankë dhe Krushevë. Aktualisht, 74 pacientë janë duke u trajtuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. 15 prej tyre kanë pasqyrë të rëndë klinike, 11 janë në ventilim mekanik, ndërsa pacientët e tjerë janë në gjendje të qëndrueshme. Tre pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar në shtëpi.

Pacientë me Kovid 19 ka edhe në spitalin e qytetit “8 Shtator”, ku janë hospitalizuar gjashtë persona. Gjithsej tre persona janë në respirator ndërsa dy prej tyre janë testuar dhe priten rezultatet nëse janë bartës të virusit. Tre të tjerët kanë pasqyrë më të lehtë klinike, njofton drejtori i spitalit. Filipçe njoftoi se do të shfrytëzohen edhe kapacitetet e 400 shtretërve të këtij spitali, edhe pse klinika infektive ka 110 shtretër dhe 130 krevate në spitalin mobil, që këto ditë do të lëshohet në përdorim. Edhe në Manastir është përgatitur spitali në repart të posaçëm që do të jetë qendër rajonale për pacientë me Kovid 19. Do të posedojë kapacitet për 35 pacientë me mundësi që numri të rritet deri në 100./ALSAT/