Plani i Thaçit e Mustafës për të marrë pushtetin me dhunë e për ta ruajtur me ushtri

Shpërndaje

Shkruan: Boiken Abazi

Zhdukja e letrave për të marrë pushtetin me dhunë e për ta ruajtur me ushtri

Baton Haxhiu e tha të vërtetën me gojën e tij në TV më 24 prill 2020, në emision me Berat Buzhalën, se Thaçi dhe LDK nuk duan ta bëjnë publike letrën dërguar para tre ditëve për të kërkuar mandatarin, dhe as vendimin e Thaçit për ta dekretuar mandatarin. Tha që nuk duan t’i bëjnë publike sepse nuk duan që Qeveria Kurti t’i çojë në Gjykatë Kushtetuese. Tha se Thaçi dhe LDK duan ta vendosin Qeverinë Kurti dhe Gjykatën Kushtetuese para faktit të kryer, pas formimit të Qeverisë me një seancë të jashtëzakonshme, pa hapur letrat. Synojnë ta bëjnë shkatërrimin e rendit kushtetues me vetëdije të plotë kriminale. Përmes zhdukjes së letrave duan ta marrin pushtetin me dhunë dhe ta ruajnë me ushtri

Grushti i shtetit brirë s’ka. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë 20% më shumë vota nga zgjedhjet e fundit se totali i gjithë udhëheqësëve të tjerë politikë në Kosovë. Dy precedentë të tjerë, e kanë çuar vendin më herët në zgjedhje pas një mocioni mosbesimi. Por faktet kushtetuese nuk pinë ujë kur synimi është marrja e pushtetit me dhunë. Pa mbajtur zgjedhje, kundër kushtetutës, duke zhdukur letrat dhe duke e bërë fakt të kryer, dhunshëm duan të shpallen sundimtarë.

Pse ky dhunim i Kosovës? Edhe këtë na e tha në TV Baton Haxhiu (24 prill) bashkë me Lufti Hazirin (23 prill): për t’i falur krimet Serbisë dhe për t’i dhënë territor të Kosovës. Por copëtim i jashtëm i Kosovës, duke i hequr territor, nuk mund të realizohet pa copëtimin e brendshëm, duke ia shqyer buxhetin për të mbushur xhepat e sundimtarëve. Prandaj u nevojitet regjimi i vjetër në pushtet, që e ka perfeksionuar këtë specialitet kriminal. Por m.q.s ai regjim është diskredituar dhe nuk gëzon shumicën në popull, atëherë i duhet edhe ushtria.

I gjithë ky krim në mes të pandemisë tenton ta shfrytëzojë virusin si pretekst për të nxjerr ushtrinë që të frenojë çdo revoltë. Në Serbi prej 15 marsit, në Shqipëri prej 11 marsit dhe në Maqedoninë e Veriut prej 14 marsit, forcat e armatosura janë aktivizuar tashmë në terren e në pika kufitare për të “luftuar” pandeminë. Vetëm në Kosovë i ngeci sharra në gozhdë, pasi u shkarkua ish Ministri i Brendshëm më 18 mars, dhe u demaskua publikisht plani i Thaçit. Por nuk kanë hequr dorë. Mezi po presin ta “luftojnë” pandeminë me ushtri edhe në Kosovë, përmes grushtit të shtetit. Këto aktivizime ushtarake nga udhëheqësit në Ballkan, më shumë sesa frenimin e pandemisë biologjike, kanë për synim përhapjen e pandemisë politike në rajon.

Por i kanë bërë gabim llogaritë. Populli në Kosovë nuk është i vetëm në mobilizimin kundër këtij krimi të shumëfishtë. Grusht shteti nuk kalon!