Presidenti ua kërkoi mandatarin, kjo është përgjigjja nga LVV-ja

Shpërndaje

Partia e parë e dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, do të duhet të propozojë një mandatar të ri, pas mocionit që e rrëzoi qeverinë në krye me Albin Kurtin. Mirëpo në këtë parti thonë se përgjigjen do ta dërgojnë në një kohë të përshtatshme.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, vendosi për të mos e çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas takimit që pati me të gjithë krerët e partive në vend.

Për këtë ia nisi një letër kreut të Qeverisë në detyrë Albin Kurtit, nga i cili kërkoi që si shef i Vetëvendosjes të bëjë propozimin e emrit të ri për mandatar.

Megjithatë nuk dihet se kur presidentit do të i kthehet përgjigja, pasi që vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kjo do të ndodhë në një kohë të përshtatshme.

“Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, shkroi Kurti në “Facebook”, pas publikimit të letrës.

Se nuk kanë ndonjë afat të planifikuar për përgjigje kanë deklaruar sot për gazetën “Express” edhe në Vetëvendosje.

“Ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, ne do të përgjigjemi në një kohë të përshtatshme”, kanë deklaruar nga Sekretariati për Medie.

Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh ndonjë afat të caktuar prej kur partia e parë e dalë nga zgjedhjet duhet t’i kthejë përgjigje presidentit me emrin për mandatarit. Sapo të bëhet propozimi, atëherë fillon afati prej 15 ditësh për të thirrur seancën.