Qeveria Kurti kthen mbrapa maunet e para me mallra nga Serbia

Shpërndaje

Mbrëmë, Qeveria e Kosovës mori vendim për heqjen e plotë të tarifës 100% ndaj mallrave serbe dhe nga Bosnjë-Hercegovina dhe zëvendësoi atë me reciprocitet ndaj Serbisë.

“Vendimi obligon që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë,  emërtimet në certifikatat fitosanitare dhe certifikatat veterinare, bashkë me dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, njoftoi ekzekutivi në detyrë që udhëhiqet nga Albin Kurti.

Në një bisedë për KALLXO.com, ushtrues detyre i drejtorit të Doganave të Kosovës, Ibrahim Xhaka, ka thënë se reciprociteti po zbatohet nga institucioni që udhëheq.

Deri më tani, sipas Xhakës, janë kthyer mallrat të cilat nuk kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.

Ai ka thënë se nuk do të hyjë asnjë produkt në Kosovë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina nëse nuk i plotëson kushtet e kërkuara dhe janë në kundërshtim me emërtime kushtetuese.

“Me emërtime fyese apo jo kushtetuese nuk ka pasur ende nga mbrëmë sepse ato s’janë ardh fare. Ka pasur një rast që nuk e ka pasur të bashkangjitur certifikatën që kërkohet dhe ai rast është në procedurë me u kthy prapa. Nuk ka pasur me vete certifikatë fitosanitare që është kërkuar, nuk e ka pasur certifikatën dhe nuk është pranuar me u zhdoganu dhe në mungesë të dokumentacionit është kthy. Dokumenti jo komplet është kthy”, ka thënë Xhaka.

“Asnjë produkt i cili shoqërohet me ndonjë mbishkrim jo kushtetues nuk lejohet të hyjë në Kosovë, asnjë produkt që është i shoqëruar me dokument jo kushtetues, pa marr parasysh çfarë produkti është ai, kjo vlen për të gjitha, është reciprocitet i plotë”, thotë ai për KALLXO.com.

Vendimi për reciprocitet të plotë sipas tij është duke u zbatuar në plotni dhe për këtë është bërë gati Dogana e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera.

Xhaka tha se nuk do të lejohen futja e produkteve të cilat kanë mbishkrimin e shtetit me fusnotë.

“Jo, ne e kemi emërtimin kushtetues Kosovë, pa fusnotë, pa asgjë, është emërtim sipas Kushtetutës së Kosovës. Nuk lejohen ato që kanë emrin jokushtetues”, thotë ai.

“Sapo e kemi marrë vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbrëmë nga mesnata ne kemi filluar me i zbatu masat e reciprocitetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për mallrat që janë me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina. Në pikë-kalimet kufitare janë duke u zbatuar këto masa”, deklaroi ai.

“Masat përfshijnë ato që janë në vendim, vendimi i publikuar i qeverisë, domethënë certifikata fitosanitare, veterinare, certifikatat e kualitetit si dhe të gjitha dokumentacioni tregtar për zhdoganim. Dokumentacioni tregtar duhet të ketë emërtime kushtetuese të Republikës së Kosovës, nuk i pranojmë emërtimet nënçmuese a fyese a jo kushtetuese”, thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Doganave të Kosovës, Ibrahim Xhaka.