Rikthimi i Kuvendit, nismë zyrtare në kushtetuese

Shpërndaje

Javën e ardhshme Gjykata Kushtetuese do ta ketë në rend dite kërkesën për vlerësimin e arsyes juridike ndaj vendimit për shpërndarjen e Kuvendit. Burime të Alsat nga gjykata e shkallës më të lartë për bëjnë të ditur se në arsyetim thuhet se tashmë qëllimi për të cilin Kuvendi është shpërndarë nuk është realizuar dhe të gjitha afatet e zgjedhjeve janë shkelur, duke përfshirë edhe vetë datën e zgjedhjeve që duhet të ishte 12 prilli. Kjo nënkupton se arsyet për të cilat Kuvendi ishte shpërndarë nuk vlejnë më.

Ndërkohë kryetari i Parlamentit vazhdon të heshtë nëse do t’i përgjigjet me shkrim kërkesës së LSDM-së për thirrje të seancës së Kuvendit ose jo. Socialdemokratët të cilët vlerësojnë se përgjigja e kreut të Kuvendit përmes mediave nuk ishte në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, presin përgjigje me shkrim mbi bazën e të cilës do t’i ndërmerrnin hapat e ardhshëm.

Në rast se Gjykata Kushtetuese i rikthehet kësaj çështje, kjo do t’i hapte rrugën Kuvendit që të rikthehet në punë vetëm për dy qëllime; të konfirmojë dy vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme dhe të japë vlerësim për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja. Javë më parë, Kushtetuesja vlerësoi se nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Kuvendit më 16 shkurt, nuk kishte bazë për vlerësim sepse ishte e drejtë.