SHBA, çmimi i naftës amerikane për herë të parë në histori bie nën 0 dollarë

Shpërndaje

Ulja ekstreme e çmimit nënkupton se ekziston një tepricë e tillë në krahasim me kërkesën që furnizuesit duhet të paguajnë për të shitur mallin e tyre.

Çmimi për një fuçi të naftës së papërpunuar të brendit “West Texas Intermediate” ka rënë ndjeshëm sot, duke shkuar në shifra negative për herë të parë në histori përderisa kërkesa vazhdon të bjerë shkaku i masave që synojnë të mbajnë individët në shtëpi në kohën e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Çmimi për një fuçi nafte në bazë të kontratës së të ardhmes (Futures) të cilat skadojnë nesër, ra në nivel aq të ulët derisa arriti në -37,63 dollarë, pasi fillimisht tregtimi u hap në 17,73 dollarë, që është një rënie prej më shumë se -290 për qind. Kjo nënkupton se ekziston një tepricë e tillë në krahasim me kërkesën që furnizuesit duhet të paguajnë për të shitur mallin e tyre.

Kontrata vlen për naftën që do të dorëzohet në muajin maj, por kontrata për dërgesat e qershorit që do të skadojë më 19 maj regjistroi një çmim prej rreth 20 dollarë për fuçi.

Çmimi i standardit ndërkombëtar të naftës së papërpunuar “Brent” gjithashtu u vendos në rreth 25 dollarë.

Përveç përpjekjeve globale sipas të cilave njerëzve u është ndaluar dalja nga shtëpitë e tyre, një mosmarrëveshje e fundit midis OPEC-ut të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Rusisë përmbyti tregjet ndërkombëtare të naftës me furnizim të tepërt, ndërsa prodhuesit tani kanë ulur furnizimin.