Sveçla dyshon se Thaçi e solli Pacollin nga Shqipëria: Nëse Pacolli shfaqet në territorin e Kosovës, policia do të marrë masa

Shpërndaje

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme Xhelal Sveçla ka thënë se presidenti Hashim Thaçi e ka shkelur Protokollin Shtetëror, pasi nuk ka njoftuar për vizitën e tij të mbrëmshme në Shqipëri.

Sveçla në një konferencë për media ka thënë se akoma nuk është vërtetuar nëse Behgjet Pacolli ka qenë në veturën e presidentit, por ka shtuar se nëse një gjë e tillë ka ndodhur është një shkelje e rëndë.

“Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e Policisë Kufitare se presidenti Hashim Thaçi e ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18:00 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë pak pas orës 19:00”.

“Kur eskorta e presidentit është ndalur është konstatuar se në veturën e dytë ndodhet presidenti. Po ashtu është vërejtur që presidenti ishte ulur në ulësen e parë, përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP”.

“Policia për shkak të xhamave të zi nuk ka mundur të dallojë nëse ka persona të tjerë të ulur prapa. Vetura e presidentit ka qenë e shoqëruar vetëm nga një veturë tjetër në të cilën ka qenë vetëm shoferi”.

“Për sqarim, në bazë të Ligjit për Protokollin Shtetëror çdo vizitë e presidentit jashtë kufijve, qoftë zyrtare ose private, duhet të komunikohet te Protokolli Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Është konfirmuar që Protokolli i Shtetit përkundër dispozitave ligjore në fuqi nuk është njoftuar lidhur me vizitën e presidentit në Shqipëri”.

“Deri më tani nuk kemi konfirmim se Thaçi ka qenë i shoqëruar nga Pacolli. Një skenar i tillë nëse provohet të jetë i vërtetë do të minonte Republikën e Kosovës dhe do të paraqiste mosrespektim të plotë të organeve të rendit”.