Thaçi paralajmëron fundin e karrierës politike, tregon se mund t’ia nisë një pune tjetër

Shpërndaje

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci, në emisionin Pressing të T7, ka treguar planet e tij pas përfundimit të mandatit si president i vendit.

Thaçi ka thënë se pas mandatit si president, ai do t’i kthehet familjes dhe jetës si qytetar jashtë politikes, ndonëse më parë kishte thënë se do të kandidojë përsëri për president të vendit.

“Unë mendoj se pas përmbylljes së mandatit, t’i kthehem vetvetes, t’i kthehem familjes. Do të japë kontributin tim gjithmonë për vendin, por si qytetar”, është shprehur Thaçi.

“Unë e kam menduar gjatë, vlerësoj se do t’i kthehem vetvetes. Do të bëjë ndonjë punë tjetër jashtë politikës”, ka thënë Thaçi.

Tutje, presidenti tha se largimi nga skena politike është emancipim dhe nuk duhet marrë si traumë.

“Asnjë lider nuk duhet ta merr largimin e një lideri nga skena politike si traumë, përkundrazi duhet ta merr si emancipim”.

Thaçi, gjithashtu tha se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur më ndonjë aspiratë tjetër politike.

“Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, unë nuk kam ndonjë aspiratë politike”, shtoi Thaçi.