Thaçi takon institucionet e drejtësisë, ministrja e LVV-së nuk ishte e pranishme

Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se sot është takuar me udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë. Mirëpo në takimin që u mbajt në Presidencë e pranishme nuk ka qenë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Presidenca sot ka njoftuar se Thaçi ka mbajtur takim me udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar për rrezikun e përhapjes së virusit COVID-19 në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe gjetjes së një zgjidhjeje ligjore për ta penguar përhapjen në këto institucione.

Në këtë takim të pranishëm ishin: drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Nga të gjithë përfaqësuesit e organeve të Drejtësisë në takim nuk ishte vetë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Thaçi ka deklaruar në “Facebook” se në kërkim të një zgjidhjeje sa më të shpejtë ligjore për ta penguar përhapjen e virusit COVID-19 në institucionet e Shërbimit Korrektues është e nevojshme të përfshihet edhe Kuvendi i Kosovës dhe mekanizmat e shëndetit publik

“Është lajm shumë i mirë që nuk kemi ende raste të infektimit me virusin COVID-19 në institucionet korrektuese dhe është shumë me rëndësi që institucionet e Republikës së Kosovës të kujdesen për çdo qytetar, duke gjetur zgjidhje në përputhje me ligjet në fuqi”, ka shkruar ai.