Veliu e quan Osmanin përkthyese të Thaçit

Shpërndaje

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka hedhur akuza të rënda ndaj Vjosa Osmanit, të cilën e quan “përkthyese të Thaçit”. Përmes një statusi të gjatë në Facebook, Veliu ka thënë se Osmani asnjëherë nuk ka pasur guximin që të garojë në zgjedhje në komunën e saj, por as në Prishtinë, kur LDK-ja ia kishte ofruar një mundësi të tillë.

“LDK-ja i kishte ofruar Vjosa Osmanit fillimisht të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës, prej nga vjen, por kishte refuzuar. Po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2017 i është ofruar kandidatura të garonte për kryetare të kryeqytetit, që apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë. Ne nuk jemi fshehur pas askujt, sepse i kemi fituar të gjitha zgjedhjet lokale dhe nacionale në Komunën e Podujevës. Ndërkaq, humbjet në Mitrovicë dhe në Degën e Tretë në Prishtinë kanë qenë të njëpasnjëshme, mes tjerash edhe për shkak të rolit të saj destruktiv e me ambicie karrieriste“, shkroi Veliu.

Tutje ish-ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Osmani “në vend që të marrë përgjegjësi për humbjen, sillej si fituese. Ndoshta ka të drejtë, sepse fitoren e VV-së e konsideronte fitore të saj“.