Vitia: Malisheva është top-prioritet i Ministrisë, nuk do t’i mungojë asgjë

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Qeverisës së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrat Arben Vitia dhe Emilija Rexhepi, ka vizituar sot Komunën e Malishevës, ku është pritur nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i shëndetësisë Liridon Hoti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Malishevë, Zenel Halitaj.

Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se në javët e para kanë pasur probleme me furnizime, por tani janë stabilizuar dhe Malishevës nuk do t’i mungojë asgjë sa u përket furnizimeve me mjete mbrojtëse për sektorin e shëndetësisë. “Malisheva është në top-prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha veprimet do të koordinohen me komunën për marrjen e masave shtesë, duke përfshirë edhe zvogëlimin e lëvizjes”, tha ministri Vitia.

Ai gjithashtu bëri thirrje dhe lutje për qytetarët në tërë vendin që t’i zbatojnë këshillat për kujdes, pasi kjo është arma e vetme e luftimit të COVID-19. “Virusi është i paparashikueshëm, prandaj kujdesi dhe mbajtja e distancës është e vetmja mënyrë për ta luftuar”, tha Vitia.