Zyrtarët e VV-së – Thaçit: Publikoje letrën ku LDK-ja mandatohet për ta bërë qeverinë!

Shpërndaje

Zyrtarët e lëvizjes Vetëvendosje po i bëjnë presion presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të publikojnë letrën ku LDK-ja mandatohet për krijimin e ekzekutivit të ri.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shkroi në Facebook se zyra e presidentit e konfirmoi këtë lëvizje që javën e kaluar, por shkresa ende nuk është bërë publike në media.

“Jemi të gjithë dëshmitarë, e sidomos vetë gazetarët, se letrat dhe shkresat për këto tema drejtuar VV-së dhe Kryeministrit Kurti, më parë dilnin në media sesa të mbërrinin në zyrat tona. Çfarë po ndodh tani? Pse nuk e publikojnë këtë shkresë? Pse ky terr informativ? Pse kjo mungesë absolute e transparencës”, thotë ajo.

“Padyshim që ata janë të vetëdijshëm për arbitraritetin e tyre dhe se kjo është shkelje e qëllimshme e Kushtetutës”, shton Haxhiu.

Presidenca e konfirmoi gjatë javës që shkoi takimin e mbajtur mes Thaçit dhe Mustafës, e bëri të ditur se gjatë tij, kreu i shtetit i dorëzoi udhëheqësit të LDK-së një letër ku i kërkon propozimin e të mandatuarit të mundshëm për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, e cila duhet të jetë e “qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”. Dy ditë më parë, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës mbështeti propozimin e kryesisë së partisë që Avdullah Hoti të përcaktohet për kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Për formimin e ekzekutivit, LDK-së do t1i duhen të paktën 61 vota në Kuvend. Qeveria e re, sipas formulës së saj, pritet të ndërtohet mbi bazën e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe komunitetet tjera joshumicë.