Albin Kurti: “Zgjedhjet më 14 qershor 2020, me 12 qershor tubimi i madh në 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur sot mbledhje me qendrat e kësaj partie, ku ka theksuar nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve më 14 qershor të këtij viti.

Në këtë takim është diskutuar për prioritetet e tij si kryeministër si dhe për masat e Qeverisë që kanë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19.

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”, ka thënë Kurti.

Njoftimi i plotë i Vetëvendosjes:

Sot u mbajt mbledhja me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilën morën pjesë kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, njëherit edhe kryeministër, sekretarja organizative, znj. Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, z. Valon Hoti.

Kryeministri Kurti nga zyret e Lëvizjes foli mbi prioritetin e punës së tij gjatë kësaj kohe, që është ai i menaxhimit me pandeminë COVID-19. Masat e reja të ndërmarra kanë pasur efektin e tyre çka ka ndikuar në uljen e trendit të të infektuarve e rritjen e numrit të të shëruarve. Me masat e qeverisë e këshillat e profesionistëve shëndetësor, por edhe me më të rëndësishmen displinën e bashkëpunimin qytetar shumë shpejt do ta mposhtim virusin.

Në mbledhje u theksuan edhe punët të tjera duke filluar nga çlirimi i bordeve e menaxhmenteve të ndërmarrjeve publike deri te denoncimi i gjetjeve të shumta që kanë ngulfatur këto ndërmarrje nga njerëz të pushtetit të vjetër.

Duke folur mbi zhvillimet e fundit, sa i përket përpjekjeve antikushtetuese, jolegjitime dhe ilegale të Klubit të Stërvjetëruar Politik, kryeministri Kurti potencoi:

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”.

Pas pikës politike, mbledhja vazhdoi me çështjet organizative dhe formën se si do të kryej veprimin e saj organizata jonë në këtë kohë pandemie. Zyret tona janë hapur sërish, puna dhe aktivitetet intensifikohen.