Albulena Haxhiu: Gjyqtarëve në Kushtetuese po u bëhet presion për të marrë vendim në favor të Thaçit

Shpërndaje

Gjykata Kushtetuese ditëve në vazhdim pritet të vendos rreth dekretit të presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për ta krijuar qeverinë e re.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh ministre në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, po iu bëhet presion i vazhdueshëm për të marrë vendim në favor të dekretit të mandatarit për kryeministër nga presidenti, Hashim Thaçi.

Haxhiu thotë se ndonëse ka pasur deklarata për animin partiak të gjyqtarëve të kushtetueses, është momenti i fundit i tyre për t’i kthyer dinjitetin Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse Gjykata Kushtetuese nuk është në krye të detyrës, dhe ndikohet nga presionet që mund t’i shkojnë, e që kemi dëgjuar se ka shumë presione që po i bëhen gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Atëherë natyrisht i humbet kuptimi që të ketë Gjykatë Kushtetuese, ku nga kjo gjykatë mund të dalin vendime që merren pas një presioni nga dikush”, u shpreh ajo.

Ministrja Haxhiu u shpreh e bindur që argumentet juridike për çështjen e mandatarit qëndrojnë në anën e tyre.

Derisa thotë se nuk mund të paragjykojë për veprimet që do t’i ndërmarrin në rast se Gjykata Kushtetuese e legjitimon dekretin e Thaçit.

“Është koha e fundit kur Gjykatës Kushtetuese duhet t’i kthehet dinjiteti, por edhe integriteti sepse jo rrallë herë nga kjo gjykatë kanë dal vendime aspak kushtetuese, e di që ka pasur shumë deklarata se ku kanë qenë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, çfarë subjekte politike. Unë po them edhe një herë që kjo lëndë që Gjykata Kushtetuese ka para vetës është një ndër lëndët më të rëndësishme që është përballur ndonjëherë. Ka ndikim jashtëzakonisht shumë ndikim afatgjatë”, thotë Haxhiu.

Sa i përket 100 ditëshit në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Haxhiu thotë se ka arritur suksese të mëdha. Sipas saj, inicimi i ligjit për Vetingut dhe ai për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme janë ndër to.

“Me këtë projektligj do të mundet prokurori të kërkojë llogari për pasurinë e një zyrtari. Nëse një zyrtar ka shpërputhje me të ardhurat që ka atëherë ka të drejtën që të kërkojë justifikimin e pasurisë. Diçka që aktualisht nuk mund të ndodhë”, thotë ajo.

Haxhiu për kp foli edhe për rastin Dehari, e cila thotë se muajin qershor përfaqësues të Institutit Zviceran do të vijnë në Kosovë, për të bashkëpunuar me Prokurorinë dhe zbardhur rastin e tij.

“Qeveria jonë është e përkushtuar për të zbardhur këtë rast dhe qeveria jonë do të mbështes institucionet e drejtësisë për të zbardhur rastin Dehari Përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, u shpreh ministrja Haxhiu.

Krahas kësaj, ministrja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se gjatë këtyre tre muajve kanë ulur shpenzimet në krahasim me ish-ministrin Abelard Tahiri.