Blendi Gonxhe publikon fotot nga brenda Teatrit: Projekti i ri është yll, duhet të emancipohemi (Foto)

Shpërndaje

Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe ka publikuar disa foto nga godina aktuale e Teatrit Kombëtar duke e cilësuar si një rrezik shumë të lartë zjarri e kushte të frikshme sigurie për publikun, si edhe rrezik e stres për artistët e gjithë personelin mbështetës.

Gonxhe e konsideron projektin e ri një yll, por që sipas tij procesi nuk u administrua siç duhej. Gonxhe shprehet se duhet të kemi Teatër të ri Kombëtar, modern, funksional e të sigurt për aktivitete kulturore dhe që ta mbajë gjallë kryeqytetin.

Shkrimi i plotë:

Dy fjalë për Teatrin:
Godina aktuale, planimetria, volumet, ngritur 80 vite më parë për një qytet 40 herë më të vogël si nr. banorësh, 100 herë më pak të interesuar për artin se sot, si stil, materiale, arkitekturë nuk ofrojnë asnjë vlerë fizike, forme, copëz a detaj konstruksioni a bukurie urbane, asnjë detaj interiori a fasade me vlerë unikale, përkundrazi këto struktura mbeten me rrezik shumë të lartë zjarri e kushte të frikshme sigurie për publikun, si edhe rrezik e stres për artistët e gjithë personelin mbështetës! E vetmja vlerë e mbetur është pozicioni në hartë, afër ansamblit të ministrive, përballë GKA dhe buzë pedonales, ndaj Teatri i ri për mendimin tim (modest) duhet aty! Në hollet e tij mund të ketë muze virtual mbi të vjetrin e kujtesat mund të rievokohen.

Çdo përgjegjësi për mungesën e komunikimit, dialogut, mirëkuptimit, dëgjesave publike, gjithëpërfshirjes në procesin e konceptimit të varianteve të një projekti të ri për Teatrin Kombëtar duhet jo vetëm të dalë sot si mësim për gjithë institucionet, për vetkorrigjim e autokritikë madje kujt i takon, por duhet të kemi kurajon të mbajmë koston politike përkatëse dhe t’i vëmë gishtin kujt t’i takojë për menaxhimin që lë për të dëshëruar në raport me pjesë të komunitetit të artistëve por edhe për këtë përkeqësim humori e ngarkesë atmosfere me zhurmë, fyerje, fjalor të rëndë, mallkime, kërcënime që çdo orë e më shumë i largon palët dhe vështirëson arritjen e një mirëkuptimi! Nuk është kurrë vonë apo keq të thuash MË FAL! Projekti është yll por procesi nuk u administrua siç duhej!

Shteti (ynë) investohet të kemi një vepër moderne, superfunksionale, një institucion që ndoshta se ka asnjë kryeqytet tjetër në rajon e më gjerë, në kushte ekonomike të goditur nga dy emergjenca e fatkeqësi natyrore, dhe në vend t’a festonim me gëzim këtë fakt, fat, ne po përplasemi me njëri-tjetrin, brenda situatës Covid19 edhe duke rrezikuar shëndetin e dhënë shembull jo pozitiv për rihapjen e ekonomisë e jetës që do bërë me masa strikte kujdesi e vetmbrojtjeje!?!

Përse tërë ky vrer, shpesh dhe kolegu me kolegun, deri dje aktorë a regjizorë të një krijimi artistik, tërë këto sharje LIVE, kjo gjuhë herë e kobshme e herë dhunuese, përse kjo gjaknxehtësi ekstreme, kjo luftë? Është gabuar në faza të caktuara dhe nuk është treguar kujdesi i duhur për gjithë ndjeshmëritë e njëri-tjetrit? Është nxituar nga dëshira të modernizohemi pa dëgjuar e shterruar çdo kundërshti e pikëpyetje? Patjetër që revolta, sado e stisur edhe politikisht apo sado e përdorur qëllimisht politikisht, ka një shkak ose bazë që do sqaruar, në mos për vetë Teatrin, për gjithë publikun! Nëse ka përgjegjësi, t’u dilet për zot, t’u kërkohet ndjesë që të jepet dora, të mos ekstremizohet më tej kjo klimë edhe kaq mjaftueshëm e rënduar nga dy fatkeqësitë natyrore dhe kur shoqëria sot ka nevojë për shpresë, energji pozitive, optimizëm e frymëzim për një ringritje!

Le të kemi një Teatër të ri Kombëtar, modern, funksional e të sigurtë për aktivitete kulturore e flukse në kushtet e një kryeqyteti kaq të gjallë e kaq shumë të vizituar, një Tirane me rreth 1 milionë banorë, që çdo vit rritet me po aq rezidentë të rinj sa ç’kishte gjithësej në 1938-ën, të projektuar nga një prej emrave botërorë të arkitekturës (si një garanci shtesë urbanistike) e të festojmë të renë! Mjafton një krahasim mes gjendjes aktuale dhe një demo-je të hapësirave të reja brenda e jashtë, dhe një prezantim më i plotë i projektit, për t’a kuptuar se sa shumë përfiton institucioni i Teatrit Kombëtar dhe se sa dëm po i shpenzojmë energjitë tona. Teatri i ri s’do jetë disfata e askujt, por tempulli më i ri i artit skenik për Tiranën! Bashkia duhet të jetë faktor përafrimi me komunitetin, ky rol e bën aksionerin publik më me rëndësi! Le t’i thërrasim arsyes, edukatës, argumentave, të mos “vrasim” NUSEN se nuk qenka e virgjër! Të emancipohemi!

T’ja kursejmë Shqipërisë një tjetër plagë!

(Mendimi im personal, bazuar në informacionet dhe eksperiencën time, që nuk përfaqëson asnjë pozicion apo detyrë publike!) (Shikoni vetë diferencën: foto nga gjendja sot, foto/video projekti i ri) #TiranaModerneNë100vjetor ❤️🇦🇱#MetropoliMëAtraktivBallkanik #Dialog #ProTeatritTëRi #TëFitojëArsyejaJoSherri