Burrë dhe grua i mori nga ura nën Ibër dhe i vendosi në motel

Shpërndaje

“Kurrë kushte më të mira nuk kemi pasur në jetë. Ishalla vdesim këtu” tha çifti i pastrehë për KosovaPress që deri dje jetonte nën urën e Ibrit në Mitrovicë, e që tashmë janë strehuar përkohësisht nga pronari i një moteli në periferi të Mitrovicës.

Ata u shprehën jashtëzakonisht të lumtur dhe falënderuan pronarin për gjestin e tij, duke thënë se këtu kanë gjetur qetësinë shpirtërore si asnjëherë më parë.

Në anën tjetër, Dardan Latifi, një prej pronarëve të motelit, i cili mezi pranoi t’i bëhet emri publik, tha se sapo ka kuptuar për çiftin ka shkuar tek ura dhe i ka marrë ata për t’i vendosur në motelin e tij deri në një afat të pacaktuar kohor.

“Çiftit jemi përpjekur t’ia ofrojmë të gjitha kushtet e nevojshme. Ata do të qëndrojnë këtu deri në një afat të pacaktuar kohor. Lutemi për ta që të bëjnë zgjidhje të përhershme sa më shpejt. Këtë veprim, në marrëveshje me vëllezërit, e kemi bërë për hatër të Zotit”, ka thënë Latifi.