Çfarë po ndodh te Teatri Kombëtar, forca të shumta policie (Video)

Shpërndaje

Burime nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit bëjnë me dije se ka sinjale që gjatë mbrëmjes së sotme të ndërhyhet për shembjen e godinës së Teatrit.

Ata shprehen se kanë sinjalizime serioze që do të ketë ndërhyrje dhe për këtë do të përdoret edhe forca e Policisë së Shtetit dhe asaj bashkiake. Ndërkohë mbrëmjen e sotme vihet re një prani e shtuar e efektivëve të Policisë, të cilët kanë krijuar kordone në disa zona si hyrja e pedonales, përreth kompleksit të Ministrive si dhe te Xhamia e Et’hem Beut.

Një grup artistësh ndodhet aktualisht në sheshin para Teatrit, ku nuk kanë munguar deklaratat e forta nga regjisori Edmond Budina, si dhe aktori Neritan Liçaj në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Qarkullojnë shumë llafe që Policia mund të ndërhyjë, ose IKMT-ja, për të cilat nuk jemi të sigurtë. Ka vetëm disa policë që kanë marrë urdhër nga komandantët e tyre, dhe unë bisedova me ta nga afër edhe më thanë: ‘Të lutem, ne nuk jemi kundër jush. Shko bisedo me ata që kanë nyje”, shprehet regjisori Robert Budina.

“Të shohim sa të vërteta janë që do vijë IKMT-ja, apo kush do vijë…Sigurisht ne nuk e mirëpresim këtë përplasje me panik. E mirëpresim me shpresë”, shton ai.

Kujtojmë që protesta për mbrojtjen e Teatrit rinisi pasi trualli ku është e vendosur godina i kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kompetencën për të shembur e ka marrë IKMT në varësi të pushtetit vendor.

Efektivët e Policisë kanë vendosur përgjatë ditëve të fundit gjoba ndaj personave që qëndronin në sheshin para Teatrit Kombëtar, çka e ka ulur numrin e artistëve që ndodhen në shesh.

Megjithatë artistët dhe aktivistët në mbrojtje të Teatrit shprehen se janë të përgatitur në rast ndërhyrjeje dhe do të mobiliojnë sa më shumë njerëz. KLSH së fundmi reagoi duke i kërkuar Bashkisë së Tiranës që të mos ndërhyjë për sa kohë që Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale.