Gjermania do t’i rihapë dyqanet e shkollat, kthehet edhe Bundesliga

Shpërndaje

Gjermania do të vazhdojë të lehtësojë masat e bllokimit të vendosura për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), duke rihapur të gjitha dyqanet dhe shkollat.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin pas një takimi virtual me kryeministrat e shteteve federale, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ata ranë dakord për hapa të rinj drejt normalizimit.

“Ne kemi qenë të suksesshëm në arritjen e objektivit tonë për të ngadalësuar përhapjen e virusit”, tha Merkel, duke shtuar se shkalla e përhapjes të koronavirusit ka rënë nën 1 dhe se numri i infeksioneve të reja ka mbetur nën 1 000.

Sipas udhëzimeve të reja, Merkel tha se do të lejohet të rihapen të gjitha dyqanet pavarësisht nga madhësia e tyre, me kusht që të respektojnë rregullat e distancës fizike dhe higjienës.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mbajnë maska për fytyrën në publik dhe të mbajnë një distancë prej të paktën 1,5 metër nga njerëzit e tjerë.

Sipas udhëzimeve të reja, çerdhet dhe shkollat fillore gradualisht do të rihapen sipas rregullave që do të përcaktohen nga secili shtet federal.

U lehtësua edhe ndalesa e mëparshme për tubimin e më shumë se dy personave në publik, me rënien e numrit të të infektuarve dhe vdekjeve nga koronavirusi.

Merkel para përfaqësuesve të medieve tha se tani e tutje anëtarët e dy familjeve të veçanta do të lejohen të takohen jashtë, me kusht që të ruajnë distancën fizike.

Gjithashtu, lejohen aktivitetet sportive dhe stërvitjet me kusht që të zbatohet distancimi fizik.

Në këtë drejtim, liga e parë dhe e dytë e futbollit në Gjermani, të pezulluara më 13 mars për shkak të COVID-19, mund të rifillojnë në gjysmën e dytë të majit “pa spektatorë”. Megjithatë, datat e ndeshjeve ende mbetet të caktohen nga Lidhja e Futbollit Gjerman (DFL).