Hajnat i grabitën 35 mijë euro biznesmenit nga Shkupi, ja kush është

Shpërndaje

Para Halk Bank dje në Saraj të Shkupit, tre persona nën kanosjen e armëve kanë grabitur një 27-vjeçar nga fshati Krushopek.

Siç informojnë nga Ministria e Brendshme, grabitësit morën një thes me para dhe u larguan nga vendi i ngjarjes. Mësohet jozyrtarisht se nga biznismeni shqiptar janë marrë rreth 35 mijë euro.

Po merren masa për zbardhjen e rastit.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore shpreh shqetësim të thellë në lidhje me situatën e sigurisë në vend, veçanërisht në lidhje me vjedhjen e armatosur në Saraj të Shkupit, e cila ndodhi mbrëmë, ku personi i grabitur ka pësuar humbje prej 2 milion denarë.

“Duke marrë parasysh që gjendemi në periudhë të pandemisë globale së koronavirusit COVID-19, theksojmë që qetësia dhe siguria e jetës së qytetarëve, si dhe ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, janë një nga kushtet themelore më të rëndësishme të cilat duhet të garantohen nga ana e shtetit dhe institucioneve shtetërore.

Për këtë arsye, kërkojmë prej institucioneve përgjegjëse për mbajtjen e rendit të ndërmarrin hapa adekuate në kohë për zbulimin e rasteve kriminale, si dhe bandave të armatosura që operojnë në vend, gjë që do të vendosë rrjedhë normale të punëve, ku qytetarët do të ndjehen dhe do të jenë më të sigurt. Nga ana tjetër komuniteti i biznesit do të ketë mundësi për udhëheqje dhe administrim të vazhdueshëm e të rregullt të biznesit, sidomos tani në kohë të pandemisë, sepse të gjitha bizneset gjinden në periudhë të palakmueshme.

Apelojmë deri tek institucionet përkatëse të ndërmarrin masa dhe veprime mbrojtëse, në përputhje me planet operative të punës dhe gjithashtu dëshirojmë që ta shprehim gatishmërinë tonë të ndihmojmë në ndërtimin e mekanizmit institucional për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo lloj të dhunës që rrezikon punën e anëtarëve tanë.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në interes të komunitetit të biznesit angazhohet në forcimin e bashkëpunimit me institucionet shtetërore në krijimin dhe promovimin e së drejtës për mjedis të sigurtë dhe të shëndoshë të punës. Si çështje kyçe në këtë periudhe imponohet edhe nevoja e bizneseve të kenë besim dhe të drejtohen tek institucionet shtetërore për ndihmë.”, thuhet në reagim.