Haxhi Avdyli i reagon Isa Mustafës për raportin e UNDP: Kur numrat flasin, fjalët janë të tepërta

Shpërndaje

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka reaguar pas deklaratës së kreut të partisë, Isa Musatafa, i cili statistikat e raportit të UNDP-së për kënaqshmërinë e qytetarëve me punën e institucioneve të vendit, i ka cilësuar ‘simpati përsonale’.

Avdyli ka thënë se i beson raportit të publikuar dje nga UNDP, pasi që sipas tij, numrat flasin vetë.

“Kur numrat flasin, fjalët janë të tepërta. Unë iu #besoj numrave sepse ato bazohen në fakte e realitet. Fjalët të bazuara në perceptime paraqesin vetëm dëshira personale që dikur veniten”, ka shkruar Avdyli në facebook.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se pas sugjerimit të ambasadorit gjerman Christian Heldt për leximin e raportit të UNDP-së për kënaqshmërinë e qytetarëve me punën e institucioneve të vendit, është shprehur i habitur me gjetjet e këtij raporti.

“U mundova dje dhe sot të lexoj statistikat , sipas sugjerimeve të një ambasadori të një vendi shumë të respektuar, se ato flasin vet. E pyeta veten, si mundet një qeveri ku për shkak të pandemisë kanë mbetur të punojnë edhe 5 ministra të LDK-së, e cila dy herë shkeli Kushtetutën, të ketë përkrahje të tillë. Një qeveri e cila shkarkon borde dhe e pranon publikisht se po i instalon partiakët e vet. Nuk më folën rezultatet”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Në anketën e publikuar dje nga UNDP thuhet se niveli i kënaqshmërisë së qytetarëve të Kosovës për punën e kryeministrit këtë vit është rritur për 44.7 për qind për dallim me nëntorin e vitit 2019, ku kryeministër në detyrë ishte Ramush Haradinaj.

Kjo është një nga gjetjet e raportit i nivelit të kënaqshmërisë gjatë muajit prill nga UNDP. “Niveli i kënaqshmërisë së regjistruar me punën e Kryeministrit është 65.4 për qind. Kënaqshmëria me punën e Kryeministrit ka pësuar rritje nga 20.7% në 65.4%”, thuhet në raport.