Haxhiu paralajmëron padi kundër Thaçit

Shpërndaje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se do të dorëzojë në prokurori një padi kundër presidentit të vendit, Hashim Thaçi për deklaratën e tij të bërë sonte gjatë intervistës në RTV Dukagjini.

Haxhiu tha se Thaçi është president shpifës, i cili do të përgjigjet për akuzat e bëra ndaj familjarëve të saj, për posedimin e një laboratori dr*oge.

“Thaçi ka humbur toruan! President shpifës që do të përgjigjet për akuzat e rënda. Ai tha se familjarët e Albulena Haxhiut kanë laborator dr*oge! Qysh nesër do të deponojmë padi për këtë shpifës të paskrupullt”, shkruan Haxhiu.

Ajo gjithashtu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se prokuroria nuk duhet të qëndroj e heshtur ndaj akuzave që presidenti po i bën.

“Në anën tjetër prokuroria nuk duhet të qëndroj e heshtur karshi këtyre deklaratave të tij! Duhet ta thërras për dëshmi”, shkruan Haxhiu.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë intervistës së tij ka akuzuar ministren e Drejtësisë se është e përfshirë në laboratorët të dr*ogës.

“Bërja publike e involvimit direkt, e familjarëve të saj në laboratorët e dr*ogës, nga Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, imagjinojeni, është shqetësuese. Ajo dhe familjarët e saj, jo nuk e kam ngatërruar, e kam për ministren e Drejtësisë”, tha Thaçi gjatë intervistës.