Haziri apelon: Mos shko dhe as mos prano mysafirë edhe më tutje

Shpërndaje

Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se ekipet komunale dhe ato regjionale po i vizitojnë në vazhdimësi të prekurit me Covid-19, duke shtuar se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

“31 familje i kemi në vetizolim, ndërsa një rast në Klinikën Infektive i cili ka ardhur nga Suedia. Ndërkaq, mbrëmë jemi njoftuar që një qytetar i yni i kthyer nga SHBA ka rezultuar pozitiv”.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që ta shfrytëzojnë kohën e daljes, dy herë nga 120 minuta, por që kjo të bëhet me masa mbrojtëse.

“Mos jep dhe as mos merr shërbim pa dorëza dhe maska. Mos shko dhe as mos prano mysafirë edhe më tutje. Është e vërtetë se kjo situatë na ka lodhur të gjithëve, por nuk kemi alternativë tjetër pos kujdesit të shtuar”.

Ndërkohë, Haziri ka njoftuar se po vazhdojnë t’i mbështesin rastet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale me pako ushqimore dhe higjienike.