Karantinë për Tetovën, Sarajin, Çairin dhe Gazi Babën!

Shpërndaje

52 rastet e reja me COVID-19 të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit janë bërë shkas që ministri Venko Filipçe, të paralajmërojë rikthim të masave kufizuese në raste se ky trend vazhdon edhe gjatë fundjavës. Rikthimi i masave do të zbatohet në zonat ku gjendja shfaqet më shqetësuese dhe në këtë kryesojnë komuna e Çairit, Sarajit, Butelit, Aerodromit, Tetovës dhe Shtipit.

Dua qartë të potencoj se përsëri do të zbatojmë kufizime në disa vende nëse gjendja epidemiologjike e kërkon diçka të tillë, e diskutuam këtë edhe në mbledhjen e Komisionit. Nga inspektimi në Tetovë është konstatuar se ka mosrespektim të përgjithshëm të të gjitha masave. Nga kontrollet në Shtip është vërejtur mos respektim i rregullave për transport sidomos nga punonjësit e fabrikave – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Ministri Filipçe tha se qytetarët duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të vendosin nëse do të rikthehen masat kufizuese apo jeta normale. Sipas tij, shifrat e larta me të infektuar gjatë javës së fundit janë rezultat i mos respektimit të masave kufizuese kur të njëjtat ishin në fuqi.

Ka informacione edhe për qytetarë që me vendim për vet izolim nuk e respektojnë të njëjti, shëtisin jashtë. Kërkoj angazhim më të madh nga MPB më shumë kontrolle dhe sanksione. Vërehet një sërë refuzimi për bashkëpunim nga ana e qytetarëve, sidomos në zbatimin e anketave epidemiologjike, qytetarët nuk japin informacione të plota, japin adresa të rreme -deklaroi Venko Filipçe- ministër i Shëndetësisë.

26 nga rastet e reja janë në Shkup, 9 në Tetovë, 7 në Shtip, 6 në Kumanovë, 2 në Strugë dhe nga 1 në Veles dhe Koçan. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 4 viktima të moshës, 73, 82,76, dhe 55. Deri tani në vendin tonë janë regjistruar 2129 raste me COVID-19. 1516 të shëruar dhe 126 të vdekur. 487 raste janë aktive. Ministri Filipçe tha se gjatë dy javëve të fundit trajektorja e të infektuarve shënon 5.5%.