Kryeministri në detyrë Kurti bashkë me ministrat e tij prezantuan të arriturat e 100-ditëshit qeverisje

Shpërndaje

Nën kryesimin e kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e 31-të e Qeverisë.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti, ka folur për 100- ditëshin e punës së Qeverisë, ku ka shpalosur të arriturat, rezultatet dhe vendimet e marra gjatë kësaj periudhe.

“Siç e dini, është praktikë dhe traditë në çdo demokraci parlamentare që një qeveri e re të ketë 100 ditë kohë të tregojë modelin e saj qeverisës dhe vizionin e saj programor. Kjo praktikë respektohet në çdo vend nga opozita, mediat por edhe nga kritikët dhe ekspertët. Tek ne kjo nuk u respektua. Por ndoshta pikërisht nga fakti që kjo traditë nuk u respektua, flet shumë për punën tonë”, tha fillimisht kryeministri në detyrë Kurti.

Më tej, kryeministri në detyrë Kurti, tha se është zgjedhur kryeministër në një kohë kur në secilin sondazh për 10 vjetët e fundit, qytetarët kanë listuar korrupsionin dhe papunësinë si problemet kryesore të tyre dhe një ndër arsyet kryesore përse ata kanë lëshuar vendin.

“Pra korrupsion i lartë qeveritar dhe papunësi e lartë qytetare, ose mjerimi dhe varfëria e madhe e qytetarëve në njërën anë dhe korrupsioni e zhvatja e buxhetit të qeveritarëve nga ana tjetër. Prandaj ndryshe edhe s’kishte si të ndodhte sepse prioritetet e kësaj qeverie ishin përcaktuar nga vetë qytetarët me 6 tetor. Menjëherë pas zgjedhjes së qeverisë me 3 Shkurt, pa humbur kohë, kemi filluar me veprime dhe vendime në luftimin e korrupsionit, ndaljen e keqpërdorimit dhe humbjes së parasë publike si dhe çkapjen e shtetit”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Pas fjalës së kryeministrit në detyrë Kurti, ministrat e kabinetit qeveritar kanë shpalosur po ashtu rezultatet dhe të arriturat e tyre përgjatë 100-ditëshit qeverisje.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti për 100-ditëshin e punës së Qeverisë: KËTU