Kurti i drejtohet Komisionit të Venedikut për kompetencat e Presidentit për propozimin e mandatarit

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dje ka dërguar një kërkesë në adresë të Komisionit të Venedikut për të kërkuar opinion mbi kompetencat e Presidentit në lidhje me propozimin e mandatarit të Qeverisë, pas kalimit të një mocioni të suksesshëm të mosbesimit në Kuvend.

Kërkesa e kryeministrit në detyrë gjithashtu kërkon nga Komisioni i Venediku sqarim mbi  kompetencat e Presidentit të vendit mbi shpërndarjen e Parlamentit.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i ekzekutivit në detyrë, Përparim Kryeziu.

Dje gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pezulloi një dekret te Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, deri më 29 maj, pasi ai një ditë më herët dekretoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër të vendit.

Kështu, seanca e paraparë të mbahet sot në Kuvendin e Kosovës nuk do të mbahet.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, lidhi koalicion për bashkëqeverisje me partinë e dytë, LDK-në. Por, pas 51 ditësh, partia e Isa Mustafës me anë të një mocioni të mosbesimi rrëzoi ekzekutivin e Albin Kurtit.

Kështu, Isa Mustafa lidhi loalicion me AAK-në e Ramush Haradinaj, Nismën e Fatmir Limajt, Listën Serbe dhe partitë tjera pakicë.