Kurti: Marrëveshja e Kosovës me Serbinë për fluturime ishte shprehje e interesit, jo marrëveshje

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vizituar sot Autoritetin e Aviacionit Civil, bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.Kurti tha se kanë vizituar AAC-në për t’u takuar me bordin, por edhe me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm Arianit Islamin dhe për t’i shprehur atij mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në detyrë.

“Erdhëm për t’u takuar me bordin, por edhe me ushtruesin e detyrës së Drejtori të Përgjithshëm, Arianit Islamin i cili mua si kryeministër në detyrë dhe ministrit në detyrë, Abdixhikun an njoftoi me strukturën organizative, me bashkëpunimin ndërkombëtarë, me sfidat buxhetore dhe gjithashtu me detyrat e kësaj agjencie shumë të rëndësishme edhe për ekonominë edhe për sigurinë e transportit ajror në Republikë. Duam ta forcojmë shtetin e Kosovës dhe Autoriteti i Aviacionit Civil është tejet i rëndësishëm për neve. U njoftuam nga drejtori se kanë bërë shfuqizimin e një rregullore që praktikisht është ndryshuar në korrik të viti të kaluar, e sot është dita e gjashtë zyrtare në punë e drejtorit dhe deshëm që të vijmë qysh në janë e parë në mënyrë që t’ia shprehim mbështetjen tonë si qeveri në detyrë, për detyrat e rëndësishme të këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit tonë”, tha Kurti.

Kurti u pyet lidhur me marrëveshjen e arritur kohë më parë për qarkullimin e aeroplanëve nga Prishtina drejtë Beogradit dhe anasjelltas.“Ne e dimë versionin final të asaj marrëveshje që mua më është prezantuar me vonesë pra atëherë kur edhe negocimi dhe draftimi i saj kishin përfunduar. Mund të them se jemi për sa më shumë bashkëpunim rajonal, mirëpo ky bashkëpunim rajonal duhet të ketë parasysh dy gjëra themelore, e para kushtetutshmëria dhe ligjshmëria dhe e dyta rentabiliteti ekonomik. Pra të gjitha bashkëpunimet tona të cilat përfshijnë bashkëpunimin ekonomik do të duhej të jenë të leverdishme dhe si të tilla të qëndrueshme. Nuk është në kuptimin e plotë të fjalës një marrëveshje, por shprehje e interesit e cila duhet të kalojë dhe më shumë hapa të tjerë për t’u bërë marrëveshje. Ndodhemi në kushtet e pandemisë që ka ngrirë një varg aktivitetesh dhe procesesh e mendoj se kjo është edhe një prej tyre”, shtoi Kurti.