Letër publike ambasadores Amerikane: Ata nuk e duan votën e dy milion emigrantëve sepse nuk e blejnë dot me para!

Shpërndaje

Shkruan: Silvana BEGAJ

Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit (Albania, 15 shtator 1901).
Faik Konica

Zonja ambasadore ke lexuar për Kamynë? ‘I huaji’ i Kamys ka qenë dhe ngelet një prej librave të preferuar të mitë. A e dini pse? Sepse unë jam e huaj! Nuk jam vetëm unë, janë dhe dy milionë shqiptarë të huaj. Të huaj në Shqipëri dhe të huaj jashtë saj. Cdo gjë që ka lidhje me atë vend më përket, më intereson, më dhemb e më gëzon. Por unë bashkë me 2 milionë shqiptarë nuk kemi një zë që të na dëgjohet. Prandaj jemi dhe harruar nga vendi ynë, nuk kemi të drejtën e zgjedhjes, ne nuk kemi të drejtën e votës.

Unë dhe 2 milionë shqiptarë, pra 48 për qind e elektoratit jetojmë zyrtarisht jashtë territorit të Shqipërisë.
Unë dhe ata 2 milionë shqiptarë na bashkon e njëjta atdhedashuri e shprehur aq bukur nga Noli.

“Në të gjitha gjuhët mund të flas,
por kur më dhemb shpirti
Vetëm shqip bërtas”.

Kosova si një shtet u ri iu lejon shtetasve këtë të drejtë, madje kjo solli dhe fitoren e Albin Kurtit ku votat më të mëdha në numër ishin nga diaspora. Edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë këtë të drejtë.
Në Rumani rotacioni politik erdhi pikërisht nga emigrantët. Edhe Afganistani dhe Iraku e garantojnë votën jashtë territorit të tyre.
Zonja amabsadore, edhe Italia fqinje iu ka dhënë emigrantëve të saj të kenë përfaqësues, deputetë, edhe për ata italianë të cilët janë larguar 500 vite më parë ashtu si arbëreshët tanë në Itali.

Unë e di se në procesin gjyqësor të deles, ujku nuk duhet të jetë në juri, por në atë juri kemi.
Zonja ambasadore, më tregoni që nëse një femër ulet në karrige të pushtetshme ka fuqi të bëj ndryshime shumë më të mëdha se një burrë.

Partitë tona nuk e duan këtë gjë pasi nuk kanë si ta na blejnë me 50 euro ose me një thes miell. Nuk janë budallenj jo!
Zonja Kim, unë ju ftoj të bëheni pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit. 2 milionë emigrantë mund të sjellin një forcë vullkanike që ta bëj Shqipërinë si Europa.

Ne duam përfaqësuesit tanë. Nuk duam të ngelemi si poçari shqiptar në detin Marmara i Dritëro Agollit.