LVV-ja dërgon në Kushtetuese përgjigjet kundër Thaçit rreth thirrjes për mosrespektim të vendimit të Qeverisë për pandeminë

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar të martën në Gjykatën Kushtetuese përgjigjet për veprimet e presidentit, Hashim Thaçi, të datës 23 mars, i cili kishte bërë thirrje që të mos respektohet vendimi i Qeverisë për kufizimin e lëvizjes, transmeton ALBAZONE MEDIA.

LVV-ja ka njoftuar se nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka dorëzuar më 5 maj në Gjykatën Kushtetuese komentet e Grupit Parlamentar të kësaj partie, duke i konsideruar si shkelje të rënda dhe antikushtetuese thirrjet që të mos zbatohen vendimet e Qeverisë për pandeminë.

“Presidenti jashtë mandatit e funksionit të tij kishte bërë thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke kërcënuar organet ligjzbatuese me sanksionime penale, e drejtë kjo vetëm e sistemit gjyqësor të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Në njoftim thuhet se Vetëvendosja pret nga Kushtetuesja që të vlerësojë dhe të konstatojë “antikushtetutshmërinë e veprimeve të presidentit, të datës 23 mars 2020”.

“Me këtë rast presidenti ka bërë shkelje serioze të trefishtë të Kushtetutës dhe me paramendim. Këtë e rikonfirmon edhe vetë ai në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij dhe shkeljen e rëndë kushtetuese. Përmes këtyre komenteve presidenti pranon veprimet e tij antikushtetuese, ndonëse përpiqet të fshihet prapa imunitetit funksional të pozicionit të presidentit. Por këto shkelje serioze nuk mund të justifikohen e as të tejkalohen në emër të imunitetit funksional. Për rrjedhojë, presim që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë dhe të konstatojë antikushtetutshmërinë e veprimeve të presidentit, të datës 23 mars 2020”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.