LVV me peticion kërkon zgjedhje, Aliu thotë se nuk do të përdorin mjete tjera

Shpërndaje

Hapi i parë i Lëvizjes Vetëvendosje për të shprehur kundërshtinë ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të jetë një peticion online për mbajtjen e zgjedhjeve. Të njëjtit nuk po pajtohen me vendimin e Kushtetueses, ku i jep të drejtë presidentit Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin për formimin e qeverisë së re. Derisa bëjnë të ditur se do të kundërshtojnë formimin e saj, mohojnë se do të përdoret gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Sekretarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimehmedi të shtunën tha se zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të dalë nga ngërçi, ndër tjera theksoi nuk do të lejojnë formimin e qeverisë që nuk ka dalë nga zgjedhjet.

“Aktvendimi hap rrugë për regjim ku vota e qytetarit bëhet e parëndësishme dhe si e tillë kjo gjykatë ka zgjedhur anën e gabuar të drejtësisë duke shkelur të drejtat bazë demokratike. Mirëpo çka tjetër mund të prisnim nga një gjykatë ku gjyqtarët e saj janë të dënuar për korrupsion e të kërkuar nga INTERPOL-i. Ose të kapur nga PLAN, ose në këtë rast gjitha së bashku. Për të mbrojtur vlerat tona më te larta demokratike dhe vullnetin e shprehur me 6 tetor si fillim do të nisim një peticion për të mbajtur zgjedhje. Peticionin do ta kemi online”, tha ajo.

Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu tha se koniunktura e vjetër, ata që sipas tij dolën humbës në zgjedhjet e 6 tetorit, u bashkuan kur e panë se njerëzit e tyre po “fluturojnë” prej bordeve.

Sipas Aliut, hapi i parë i LVV-së do të jetë mbledhja e nënshkrimeve nga qytetarët e vendit në peticionin që do të mbajnë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Kosova ka nevojë të menjëhershme për zgjedhje që të zgjidhet kriza politike dhe të përcaktohet rruga që do të marrë vendi drejt ndryshimit dhe çlirimit prej korrupsionit, apo drejt rikthimit të të korruptuarve. Me këtë peticion ne qytetarët e Kosovës duke vendosur nënshkrimin dhe numrin e letërnjoftimit bëjmë të ditur se duam zgjedhje, dhe se vetëm qeveria e dalë nga zgjedhjet ka legjitimitet për të qeverisur”, ka theksuar Aliu.

Derisa flet për “rezistencën” që kanë përmendur, Aliu deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje është paqësore, dhe kundërshtinë do ta shprehin me mjete paqësore.

“Peticioni është rezistencë, natyrisht që LVV është paqësore, dhe veprimet tona do të jenë tërësisht paqësore dhe me mjete sa më legjitime. Pjesë e këtyre veprimeve tona do të jetë ky peticion që po e përmendim. Për aktivitetet që do të kemi politike si LVV këtë do të njoftoheni në vazhdimësi në konferencat që do të kemi si kjo”, ka deklaruar Aliu para gazetarëve.

Deputeti Liburn Aliu tha se do të jenë kundër formimit të qeverisë së re, megjithatë tha se përkrahja e qytetarëve tregon se është e panevojshme që të përdoret gaz lotsjellës.

“Do të jetë kundër qeverisë, mënyra se si do ta shprehim atë i bie të shihet në seancë kur ajo do të mbahet….Meqenëse kemi një legjitimitet të plotë, kemi edhe rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, kemi edhe këto peticionet e vazhdueshme, përkrahja e qytetarëve tregon që do të jenë të panevojshme mbase çfarë do mjeti tjetër, sepse është përkrahja qytetare ajo që realizon”, theksoi ai.

Aliu ka mohuar se Lëvizja Vetëvendosje qëndron prapa organizimit të protestës që do të mbahet me 5 qershor, ndërkohë u shpreh që aktualisht nuk ka nevojë për protestë.