Maqedoni e Veriut, nisen drejt Turqisë 86 shtetas turq të bllokuar nga COVID-19

Shpërndaje

Në kuadër të operacioneve të Turqisë për kthimin e qytetarëve të saj të cilët nga shkaku i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) kanë mbetur nëpër shtetet tjera, në organizim të Ambasadës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut, sot nga Shkupi u nisën dy autobusë me gjithsej 86 shtetas, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësues nga Ambasada e Turqisë në Shkup, të cilët ishin të pranishëm për të përcjellë shtetasit turq, informuan se sot për në vendlindje janë nisur 86 shtetas, të cilët fillimisht do të dërgohen deri në kufirin Maqedoni e Veriut-Bullgari, e më pas me autobusë të tjerë do të dërgohen deri në vendkalimin kufitar Kapıkule mes Turqisë dhe Bullgarisë.

Ambasada gjithashtu informoi se në organizim të autoriteteve lokale në Edirne, të gjithë shtetasit turq do të vazhdojnë rrugën në qytetin ku jetojnë me autobusët e Drejtorisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Në mesin e shtetasve turq kishte studentë dhe punëtorë të cilët u shprehën të kënaqur dhe falënderues që po nisen drejt vendlindjes.

“Ngelëm këtu për një kohë të gjatë dhe ashtu siç kërkuam nga vendi ynë, ai po na kthen. Qoftë i përjetshëm dhe rroftë vendi ynë. Allahu qoftë i kënaqur. Falënderojmë të gjithë që kontribuan, presidentin tonë, zyrtarët e tjerë”, tha Sadık Tepebaş, i cili kishte punuar në Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësues të ambasadës thonë se shtetasut turq që u nisën sot nga Maqedonia e Veriut do të qëndrojnë në karantinë shtëpiake 14-ditore, ndërsa gjatë hyrjes në Turqi, do të nënshkrujnë deklaratë me të cilën do t’u përmbahen kushteve.

“Tashmë gjashtë muaj jam këtu në Maqedoninë e Veriut. Ngelëm të bllokuar për shkak të virusit. Tani me autobusë do të kthehemi në vendin tonë. Falenderoj Republikën e Turqisë, pasi do të na ktheje”, tha studenti Furkan Eroğlu.

Kujtojmë se nën organizimin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, më 22 prill një avion me 270 shtetas turq u nis nga Maqedonia e Veriut drejt Turqisë.

Gjatë pandemisë, Turqia nën udhëzimet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe në koordinim me Ministrinë e Jashtme ka riatdhesuar mbi 70 mijë shtetas nga më shumë se 100 shtete.