Mbi 4 milionë euro gjobë për 14 kompani të derivateve të naftës në Kosovë

Shpërndaje

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka njoftuar se ka gjobitur me mbi 4 milionë euro, 14 kompani të derivateve të naftës, pasi është vërtetuar se ato kanë manipuluar me çmime të derivateve të kësaj lënde në fund të vitit 2018.

Hetimi lidhur me këtë rast kishin nisur në fillim të vitit 2019 kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të derivateve të naftës nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale me rastin e caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2018.

Atë kohë dominonte dyshimi se çmimi i derivateve në tregun e Kosovës kishte mbetur njëjtë, përkundër uljes së çmimit në berzën ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë të ditur vendimin e Komisionit, gjatë një konference për media.

“Pas përfundimit të të gjitha hetimeve, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur si në vijim: Kompanitë të cilat kanë qenë nën hetim e kanë çrregulluar konkurrencën në treg gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2018, me veprimet e tyre ato kanë kryer shkelje të dispozitave të nenit 4 të ligjit për mbrojtje të konkurrencës, kështu Komisioni i Autoritetit të Konkurrencë ka vendosur të shqiptojë masë ndëshkuese në shumë mbi 4 milionë euro 14 kompanive në hetim”, ka bërë të ditur Prestreshi.

Me Ligjin mbi Konkurrencën, ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara, të cilat mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare./rel