Nagavci: Vendimi i Kushtetueses i papranueshëm për LVV-në, protesta e 5 qershorit s’është vendim yni

Shpërndaje

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka mbajtur një konferencë për medie, ku ka folur rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të cilin thotë se është politik, raporton “Zeri.info”.

“Për fat të keq, ky vendim është më shumë se një vendim që do të pritej të ishte me argumente të qarta juridike, ai ngjan në një vendim politik dhe pas shkeljes së Kushtetutës nga ana e presidentit me dekretin e tij, faktikisht kemi edhe një tejkalim të kompetencave Gjykatës Kushtetuese se në vend se të interpretonin, ata morën rolin e shkruesve të Kushtetueses”, është shprehur Nagavci.

Tutje ajo thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Lëvizjen Vetëvendosje është i papranueshëm, sepse sipas saj një vendim i tillë duket se është shkruar në të njëjtën linjë me deklaratat e presidentit.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt politik, një vendim i tillë është i papranueshëm, sepse është një vendim që e rrëzon Kushtetutën, aktin më të lartë juridik dhe duket si një vendim i shkruar në të njëjtën linjë edhe me deklaratat e presidentit Thaçi dhe e humb tërësisht kuptimin e zgjedhjeve të lira në vendin tonë”, potencoi Nagavci.

Ndër të tjera, Nagavci ka folur edhe për protestën, për të cilën është thënë se do të mbahet më 5 qershor e për një ngjarje të tillë ajo thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë një vendim të tillë.

“Lëvizja nuk ka marrë një vendim të tillë. Ne do të bëjmë me kohë publik qëndrimin tonë dhe kërkesat tona. Do të njoftoheni në ditët në vijim”, përfundoi Nagavci.