“Nëse ke jep, nëse s’ke merr”, qytetarët dhurojnë qumësht, vaj dhe bukë! (Video)

Shpërndaje

Hyri në shitore dhe kërkoi qumësht. I bleu dy litra dhe i ndau në dy qese. Një litër qumësht e la në këtë shportë.

“Zakonisht, ditëve të Ramazanit çfarë të blej për vete e lë edhe një për skamnorët. Njerëzit çfarë nuk kanë, vijnë e marrin vetë që mos të tërhiqen, mos të ju vije turp, e marrin dhe shkojnë”

TV21: E bëni këtë me vetëdëshirë?

“Por, e bëjmë me vetëdëshirë. Gati se dy herë në ditë sigurisht. Por një herë në ditë sigurt, ose unë ose shoqja kur bëjmë pazar, sepse pazarllëkun e madh, mujor e bëjmë në markete, mirëpo atë ditor e bëjmë te esnafi i vogël”, tha një qytetar.

Vendosja e kësaj shporte nuk është iniciativë e dyqanxhiut, por aktivitet i aksionit “Dora e artë”. Nuk agjëron vetë, por dyqanxhiu ka pranuar të jetë pjesë e aksionit që t’u ndihmohet myslimanëve në këto ditë të Ramazanit.

“Qëllimi është t’u ndihmohet të varfërve gjatë këtij agjërimi të Ramazanit. Aq sa mundemi, aq duam edhe ne të ndihmojmë”, tha dyqanxhiu.

Dora e artë” realizohet në Çair dhe ka moton, “Nëse ke jep, nëse s’ke merr”. Qëllimi është, qytetarët që blejnë ushqime për në shtëpi, ndonjë produkt ta donojnë për skamnorët. Për të realizuar këtë aksion, shkak ka qenë muaji i Ramazanit dhe kriza e shkaktuar nga Kovid-19, sqaroi iniciatori i Mensur Krasniqi.

“Pra rafti i bamirësisë, siç e shihni është një ide e cila u mundëson të donojnë apo të kontribuojnë skamnorëve gjithkush, jo vetëm ai që është me ndonjë status më të mirë financiar. Çdo myshteri që mund të blejë ndonjë produkt për familjen e vetë, ka mundësi të dhurojë në këtë shportë apo në këtë raft bamirës edhe ndonjë produkt tjetër dhe të solidarizohet me skamnorët. Duke e pasur parasysh situatën e pandemisë dhe muajin e shenjtë të Ramazanit, ne deshëm të solidarizohemi me ta meqenëse është goditur goxha rëndë ekonomia vendore dhe gjepi i qytetarëve”, deklaroi Mensur Krasniqi – Iniciator i “Dorës së Artë”.

Aksioni mbulon dhjetë dyqane të tjera dhe prej sot u përfshinë edhe vendet ku shiten pemët dhe perimet. Deri më tani janë grumbulluar 87 pako ushqimore, disa prej tyre javës së ardhshme do t’u dërgohen edhe të burgosurve.

“Planifikohet të bëhet edhe shpërndarja e pakove ushqimore edhe për kategorinë e personave të burgosur, pasi siç jemi të informuar aty ka vëllezër tanë që janë nga Kosova dhe familjet e tyre për shkak të pandemisë nuk mund t’i kalojnë kufijtë që t’u ndihmojnë”, deklaroi Mensur Krasniqi – Iniciator i “Dorës së Artë”.

Donatorin që e takuam ne, ftoi edhe qytetarët tjerë të ndihmojnë në mbushjen e shportës.