Ngec zbatimi i Marrëveshjes së Prespës

Shpërndaje

Maqedonia e Veriut dhe Greqia po i shkelin afatet që vetë i kanë përcaktuar me Marrëveshjen e Prespës. Rreth dy vjet nga arritja e kompromisit mes shteteve ende nuk ka filluar revizioni i teksteve shkollore, punë kjo të cilën Komiteti ndër-disiplinor do të duhej ta mbaronte për 1 vit nga nënshkrimi i marrëveshjes.

Marrëveshja e Prespës, Neni 8, Pika 5

“Komiteti do të definojë kornizë konkrete kohore që të sigurohet se në secilën prej palëve, asnjë libër ose material ndihmës shkollor që përdoret në vitin pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje nuk përmban ndonjë referencë irredentiste/revizioniste.”

Komiteti nuk është mbledhur nga vera e vitit të kaluar, shkaku i zgjedhjeve në Greqi pas së cilave u paralajmëruan por nuk u bënë ndryshime në ekipin grek. Ndonëse ministritë e Jashtme të dy shteteve duhet ta mbikëqyrin, as dikasteri i Shkupit e as ai i Athinës nuk sqarojnë ngecjen e punës së komitetit, e as se kur do të jetë takimi i radhës. Qendra për strategji evropiane “Eurothink” e cila monitoron zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, vlerëson se pala greke po e zvarrit procesin që duhet të fillojë sa më parë.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për ne edhe për palën greke që ky komision të vazhdojë të punojë sa më parë…Janë tema të vështira, komplekse që kërkojnë njohuri e fleksibilitet të madh dhe horizont të gjerë të interpretimeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështjet kulturore, tekstet shkollore, gjuhën- deklaroi Ivan Stefanovski, Qendra për strategji evropiane “Eurothink” (2:30-3:30)

Nga ana tjetër, Qeveria thotë se po zbaton Nenin 1 të Marrëveshjes së Prespës, sipas të cilit të gjitha dokumentet duhet ta kenë emrin e ri të shtetit më së voni 5 vjet nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.

Nga Qeveria shtojnë se Ministritë kompetente, organet shtetërore dhe institucionet, ndërmarrjet publike dhe shoqëritë aksionare në pronësi të shtetit në afatin e paraparë bënë ndryshime në tabelat e kalimeve kufitare, në përfaqësitë diplomatike-konsullore si dhe në hyrjet e institucioneve./ALSAT/