Një nga pjesëtarët e sigurimit të presidentit Pendarovski, pozitiv në Kovid-19

Shpërndaje

Një person nga ekipi i sigurimit të presidentit, Stevo Pendarovski, i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është pozitiv në Kovid-19. Pendarovski dhe anëtarët e familjes së tij janë vlerësuar si kontakte të linjës së dytë, për të cilët sipas protokolit epidemiologjik, nuk rekomandohet izolim.

Presidenti vazhdon me kryerjen e obligimeve të tij të rregullta të punës.

“Në orët e pasdites, më 17 maj të vitit 2020 (e diel), është kryer testim për Kovid-19 të një personi nga ekipi i sigurimit të presidentit Stevo Pendarovski, i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me ç’rast rezultoi pozitiv. Pjesëtari i sigurimit të presidentit është pjesë e ekipit më të gjerë të sigurimit, që do të thotë se nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me presidentin. Javën e kaluar ka shfrytëzuar pushim vjetor, ndërsa për herë të fundit ka qenë në vendin e punës më 11 maj të vitit 2020 (e hënë)”, informojnë nga Kabineti i presidentit.

Pas anketës së bërë epidemiologjike, siç thuhet në kumtesë, u konfirmua se nevojitet të testohen në mënyrë shtesë edhe 11 persona, të cilët ishin në kontakt me personin, i cili rezultoi pozitiv.

“Të gjithë 11 personat janë testuar dhe rezultuan negativë në Kovid-19, por edhe krahas kësaj mbeten në vetizolim deri më 25 maj, deri në skadimin e inkubacionit prej 14 ditëve”, informojnë nga Kabineti i presidentit.

Prej aty potencojnë se pas analizës së kryer epidemiologjike, presidenti Pendarovski dhe anëtarët e familjes së tij, janë vlerësuar si kontakte të linjes së dytë, për të cilët sipas protokolit epidemiologjik, nuk rekomandohet izolim. Presidenti vazhdon me kryerjen e obligimeve të tij të rregullta të punës.

“Kabineti i presidentit vazhdon të funksionojë pa pengesa, në pajtim me rekomandimet për mbrojtje nga Kovid-19. Gjatë dy muajve të kaluara, të punësuarit punojnë me orar të ndryshëm. Pjesa më e madhe e aktiviteteve mbahen në ambient të hapur. Në takimet dhe ngjarjet bëhet distancimi i rekomanduar fizik, shfrytëzohet pajisje mbrojtëse, si maska dhe doreza, mjete për dezinfektim, ndërsa rregullisht pastrohen dhe dezinfektohen hapësirat në ‘Vila Vodno’”, thuhet në kumtesë.