Osmani: Agani ishte promotor i mendimit politik ndër shqiptarët

Shpërndaje

Në 21-vjetorin e vr*asjes së Fehmi Aganit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e ka kujtuar si njeri të urtë e veprimtar të madh. Ajo me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e saj ka bërë homazhe pranë shtatores së Fehmi Aganit.“Profesor Aganin sot e kujtojmë si personalitet me mendim të thellë politik, promotor i mendimit politik ndër shqiptarë dhe i përafrimit të pikëpamjeve të ndryshme rreth projektit të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci”, ka shkruar ajo.Ky është postimi i saj i plotë:Sot, në 21-vjetorin e vr*asjes, e kujtojmë njeriun e urtë e veprimtarin e madh, bashkudhëtarin politik të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në lëvizjen e viteve ’90 për pavarësi, njërin ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha, njeriun e dijeve e të ideve për konsolidimin e kombit, profesor Fehmi Aganin. Ai u vr*a më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vr*asja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

Dr. Agani, njeri i urtë, tepër modest, por këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri, qysh më 1968 qe njëri ndër bartësit e debatit për Republikën e Kosovës. Në vitet ’80 ai ngrehu zërin kundër diferencimeve politike dhe sidomos kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, për t’iu bashkuar nismës për themelimin e LDK-së, e cila u shndërrua në lëvizje të fuqishme kombëtare kundër ideologjisë totalitare dhe i bashkoi shqiptarët përreth idesë së lirisë. Profesor Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej dijetari e ideologu nacional. Ai ia dha lëvizjes urtinë e nevojshme për ta bërë të pathyeshëm idealin e shqiptarëve për liri dhe e mbajti të gjallë vazhdimisht ëndrrën për ta parë të jetësuar atë.
Profesor Aganin sot e kujtojmë si personalitet me mendim të thellë politik, promotor i mendimit politik ndër shqiptarë dhe i përafrimit të pikëpamjeve të ndryshme rreth projektit të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci.