Osmani: Mbajtja e Kosovës në izolim, në kundërshtim me vlerat e BE-së

Shpërndaje

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot me rastin e Ditës së Evropës kujtoi se sa është e rëndësishme është paqja mes popujve e shteteve dhe orientimi drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

“Duke promovuar fillimisht bashkëpunimin tregtar e pastaj edhe diversitetin kulturor e etnik, Bashkimi Evropian u shndërrua në projektin që jetësoi zhvillimin ekonomik, krijoi mirëqenie për qytetarin dhe u shndërrua në entitetin që u bë sinonim i paqes dhe i stabilitetit në botë. Andaj, Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarsimin në Bashkimin Evropian.”, deklaroi Osmani, citohet në komunikatën e Kuvendit. Ajo më tutje shtoi se izolimi i Kosovës është në kundërshtim me vlerat e BE-së.

“Jetësimi i vlerave që i ka mishëruar Bashkimi Evropian në themelet e tij janë sot po aq të rëndësishme sikurse edhe 70 vjet më parë. Por, mbajtja e popullit më proevropian, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me po këto vlera. Çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është poashtu në kundërshtim me këto vlera.”, u shpreh ndër të tjera Osmani.