Pacolli ironizon me BE-në pas vendimit për lehtësimin e marrjes së vizave për Bjellorusinë

Shpërndaje

Ditë më parë, Parlamenti Evropian miratoi dy marrëveshjet të cilat lehtësojnë liberalizimin e vizave për shtetasit e Bjellorusisë.

Vendimin për lehtësimin e vizave me këtë vend e kanë përkrahur 634 eurodeputetë, teksa 48 votuan kundër dhe 4 të tjerë abstenuan.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në “Twitter”, i cili ka ironizuar duke “uruar” BE-në për vendimin rreth Bjellorusisë, derisa thotë se Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm i izoluar, shtetasit e të cilit nuk mund të udhëtojnë të lirë.

“Përgëzime për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare që kanë gjetur kurajën për të lëvizur përpara me lehtësimin e vizave për Bjellorusinë dhe që vazhdojnë të mbajnë Kosovën si vendin e vetëm të izoluar pa pasur mundësi të lëvizjes së lirë. Dëshiroj të shoh se çfarë Natalya Apostolova dhe Christian Heldt do të thonë tani”, ka thënë Pacolli në Twitter, duke iu referuar Ambasadores së BE-së në Kosovë, dhe atij gjerman.