Parapërgatitjet për protesta të shoqërisë civile i mbështesin edhe disa aktivistë të VV-së

Shpërndaje

Sot pasdite një pjesë e shoqërisë civile kanë bërë parapërgatitje për protesta në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Këtij aktiviteti i janë bashkëngjitur edhe disa aktivistë të Vetëvendosjes në shenjë përkrahje të tyre, njofton Klan Kosova.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvenedosjes, Arbër Vokrri, tha për Klan Kosovën se kjo nuk është organizuar nga partia e tij, por se pakënaqësinë me situatën politike e kanë shprehur edhe disa aktivistë të VV-së.

“Kjo ka qenë një parapërgatitje për të dëshmuar që mundet të manifestohet pakënaqësia popullore me situatën politike në vend edhe për ndonjë vendim nga Gjykata Kushtetuese nëse s’e respekton vetë Kushtetutën”.

“Aty dëshmohet që edhe në kohë të pandemisë të mblidhemi duke e mbajtur distancën dhe me masa tjera mbrojtëse dhe të tregojmë se presioni po bëhet në mënyrë paqësore dhe pa rrezik”.

Vokrri tha se kjo protestë është edhe si kundërshtim për ndonjë vendim të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese që nuk është në përputhje me Kushtetutën.

“Shpresojmë që Gjykata Kushtetuese nuk do t’i nënshtrohet presionit politik që do t’i vjen nga presidenti dhe partitë tjera që po duket se po e bëjnë avokatinë dekretit të presidentit për të themeluar një qeveri tjetër”.

“Nuk është në krye të kësaj Vetëvendosja, por ne si aktivistë e kemi mbështetur. Ka pasë shumë qytetarë që s’janë anëtarë të Vetëvendosjes, por pati edhe aktivistë. Qendra në Prishtinë e ka pa të arsyeshme që ta ndihmojë”.