Pendarovski-Gerberih: Është me rëndësi të jashtëzakonshme ndërtimi i marrëdhënieve miqësore

Shpërndaje

Presidenti Stevo Pendarovski pati sot një takim lamtumirës me ambasadorin gjerman Tomas Norbert Gerberih, në të cilën u riafirmua qëndrimi se është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin të ndërtojë marrëdhënie miqësore me Republikën Federale të Gjermanisë, përmes një qasjeje të sinqertë dhe të besueshme.

Pendarovski u falënderua për mbështetjen e fuqishme dhe të hapur që Gjermania ia jep vendit në arritjen e qëllimeve të saj strategjike dhe shprehu kënaqësinë që pikërisht gjatë mandatit të ambasadorit Gerberih është realizuar njëri prej tyre, gjegjësisht anëtarësimi në NATO, ndërsa është marrë edhe vendimi nga ana e Këshillit Evropian për fillimin e negociatave aderuese për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pendarovski-Gerberih: Është me rëndësi të jashtëzakonshme ndërtimi i marrëdhënieve miqësore

Presidenti Pendarovski gjithashtu shprehu shpresë edhe për mbështetje të mëtejshme gjermane në përpjekjet për reformën e vendit, në kontekst të aspiratave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, si në aspektin politik, ashtu edhe në disa fusha të tjera me interes të përbashkët, siç janë mbrojtja dhe siguria, ekonomia dhe arsimi. Për Maqedoninë e Veriut, theksoi presidenti Pendarovski, është veçanërisht i rëndësishëm fakti që Gjermania është në krye të listës së partnerëve më të mëdhenj tregtarë.