Politikanët e kaosit kosovar sipas pikëvështrimit të Benjamin Franklinit

Shpërndaje

POLITIKANËT E KAOSIT KOSOVAR SIPAS PIKËVËSHTRIMIT TË BENJAMIN FRANKLINIT

(Version i shkurtuar)

Nga, Kadrush Radogoshi

Mendjet e mëdha njerëzore nuk janë dëshmuar vetëm në situatat dramatike, kur është dashur të zgjidhin në mënyrën më të mirë çështje të ndërlikuara për shtetet e tyre apo njerëzimin në tërësi, por edhe në bisedat e bëra në kohën e tyre të lirë në të cilat nuk ka munguar të menduarit e thellë apo humori e ironia. Këtë konstatim e argumenton fakti se edhe bisedat më të zakonshme të mendjeve gjeniale mund të aktualizohen në kontekste të ndryshme vendore dhe kohore. Qëllimi i këtij shkrimi është aktualizimi i një bisede të tillë dhe mesazhit të saj domethënës në kontekstin e sotëm kosovar. Kjo bisedë ka ndodhur në vitin 1780 në mes të mjekut Dr. Benjamin Rush, ndërtuesit të Monticello-s Thomas Jefferson dhe Benjamin Franklin. Tema e bisedës së tyre të lirë mori kahen e përcaktimit se cili ka qenë profesioni më i vjetër në botë. Kirurgu Dr. Benjamin Rush tha se profesioni i tij ka qenë më i vjetri dhe ju e dini se fillimisht ka ndodhur një operacion kirurgjik, i cili e ka krijuar Evën nga brinja e Adamit, tha ai. Arkitekti Thomas Jefferson e kundërshtoi, duke i thënë se arkitekti ka qenë i pari sepse e ka nxjerrë botën nga kaosi. Pas këtyre deklarimeve të dy të parëve, replikoi bashkautori i Kushtetutës amerikane dhe tri akteve tjera juridike themeluese të SHBA, Benjamin Franklin: “Ju, që të dy e keni gabim. Është politikani. Pas të gjithave, kush mendoni se e krijoi kaosin?”.

Lexuesi i vëmendshëm dhe me kulturë të formuar leximi kupton, që në fillim se secila prej këtyre mendjeve të ndritura çështjen e sheh nga pikëvështrimi i profesionit të vet, pra kirurgu nga pikëvështrimi i kirurgut, arkitekti nga pikëvështrimi i arkitetktit dhe politikani nga pikëvështrimi i politikanit. Kuptohet secili prej tyre sjellë një argument të qëndrueshëm. Të shikuara në këtë aspekt, të tri mendimet duken të barasvlershme, megjithatë kanë një ndryshim substancial. Derisa dy mendimet e para kanë karakter afirmativ ndaj profesionit të vet, mendimi i tretë, në esencën e tij, ka një karakter shumë më kompleks. Fillimisht ai pohon se profesioni më i vjetër në botë është ai i politikanit, por derisa pohimet e dy të parëve shprehin aspektin konstruktiv të profesioneve të tyre, pohimi kundërshtues i Benjamin Franklin-it vë në spikamë karakterin destruktiv të politikanit edhe pse vet ishte dhe është ndër figurat më markante në historinë politike të Amerikës dhe botës. Kuptohet e tërë kjo bisedë ka një ton humori e ironie, i cili veç sa e bën më të lehtë pranimin e esencës domethënëse dhe të nuancuar të tekstit.

Pra, aktualizimin e këtij teksti bisedor në realitetin politik shqiptar e sidomos atij kosovar e nxit gjendja kaotike në Kosovën e sotme. Në këtë kontekst aktualizues mesazhi i kësaj bisede, po qe se zbërthehet nga pikëvështrimi i Benjamin Franklinit, jo vetëm që na flet shumë, por edhe na sugjeron shumë. Duke e njohur mirë potencialin e shumicës së politikanëve për të krijuar kaos ai u kujdes, që në aktet juridike themeluese të SHBA, ta kufizojë këtë prirje destruktive gjerë në maksimum. Simbolika e aktualizimit të tekstit të tij bisedor na sugjeron se kaosin njëzetvjeçar të Kosovës, i cili kulmoi me grusht shtetin e 25 Marsit 2020 e kanë krijuar politikanët e padijshëm, të pamoralshëm, mafiozë e të verbuar nga lakmia për pushtet. Mendimi i kirurgut Dr. Benjamin Rush se bota ka filluar nga një operacion kirurgjik i funksionalizuar simbolikisht në kontekstin politik kosovar na sugjeron se duhet të ndodh një operacion i suksesshëm kirurgjik në trupin kancerogjen të homo politicusit njëzetvjeçar kosovar, që ai të shërohet. Gjykata Kushtetuese e Kosovës nëse arrin ta kryej punën e saj me përgjegjësi të lartë profesionale e historike simbolikisht do të jetë kirurgu, që do ta heq nga trupi i politikës kosovare kancerin e kaosit. Një vendim i tillë do të nënkuptonte shpalljen e dekretit të presidentit si akt i jo kushtetues dhe do t’ia krijonte mundësinë popullit, që të jep një legjitimitet të ri demokratik forcave politike, të cilat do të qeverisin me Kosovën. Në rastin e kundërt, nëse Gjykata tregohet e paaftë dhe jokompetente profesionalisht do të bëhet bashkautore kryesore e një kaosi jashtëzakonisht të rrezikshëm për fatin e Kosovës si shtet. Në rastin fatlum të një vendimi të drejtë dhe largpamës të Gjykatës Kushtetuese, homo politicusi e ri kosovar, i dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, duhet ta vazhdojë operacionin kirurgjik të çkapjes së të gjitha institucioneve shtetërore dhe dërgimit para drejtësisë të fajtorëve për gjendjen e kaotike në të cilën e kanë sjellë Kosovën. Logjika e aktualizimit tonë mendimin e Thomas Jefferson e rendit të tretin në aspektin e domosdoshmërisë kronologjike dhe kauzale. Kjo nënkupton se pas operacionit kirurgjik, Kosovës i duhet arkitetekti, i cili duhet të fillojë me ndërtimin dhe këtë ndërtim mund ta bëjë vetëm homo politicusi i ri, i cili nga populli shihet te Albin Kurti, Vjosa Osmani etj. të cilët populli i Kosovës i votoi më 6 Tetor 2019 e me siguri do t’i votojë edhe në zgjedhjet e ardhme.