Propagandë në kohë pandemie, “Ne kujdesemi” e BDl-së nuk funksionon

Shpërndaje

Pandemia me koronavirusi, përpos krizës shëndetësore, solli edhe shumë sfida të tjera. Situata e krijuar pas saj dhe kriza që shkaktoi koronavirusi, u përdor për qëllime të ndryshme. E menjëhershme ishte përhapja e lajmeve të rrejshme që morën hov të madh, e që e lidhnin koronavirusi me konspiracione të ndryshme. Padyshim se në gjithë këtë situatë, nuk ka munguar as propaganda politike.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, ky virus, u përdor për propagandë nga subjektet e individë të caktuar politikë.

Në fillim të paraqitjes së virusit në vend, BDl, nëpërmjet fushatën “Ne kujdesemi” paralajmëroi aktivitete për të ndihmuar qytetarët në këtë situatë. Në kohë kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut, vazhdimisht bënte apele për mosdalje në qytet për masa kujdesi, BDl e cila është në qeveri, i bëri thirrje aktivistëve të saj të shkohet nëpër shtëpi të të moshuarve, sipas tyre, për ndihmë.

Megjithatë, duket se këto aktivitete zgjatën vetëm disa ditë. Në opinion, nuk është informuar se aktivitete të tilla janë zhvilluar në vazhdimësi, ndërsa në lidhje me to nuk ka informata as në faqen e BDl-së në Facebook, shkruan Portalb.mk.

I pyetur se çfarë ndodhi me këto aktivitete dhe të njëjtat a kanë vazhduar më, zëdhënësi i BDl-së, Bujar Osmani, nuk është përgjigjur për Portalb.mk., dy javët e fundit, pasi e njëjta pyetja i është parashtruar edhe më 16 prill edhe gjatë ditës së sotme, por deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje.

Ndërkohë, më 16 mars, në pyetjen se si mendon kjo parti të sigurojë se në fakt, nuk po rrezikon më shumë banorët dhe shpërndarjen eventuale të infeksionit të virusit COVID-19, Osmani deklaroi për Portalb.mk, se aktivistët e partisë të cilët janë të angazhuar për t’i ndihmuar personat në moshë gjatë periudhës së krizës me virusin korona do të jenë të pajisur me maska, doreza dhe infektues për të parandaluar infektimin/shpërndarjen e virusit. Ai nuk dha detaje në lidhje me atë se kush e inicioi këtë aktivitet dhe kush e ndihmon të njëjtën.

“Aktivistët do të jenë të mbrojtur me maska, doreza dhe mjete dezinfektuese dhe në vend që të moshuarit të hyjnë në supermarkete dhe barnatore të kenë kontakte me dhjetëra persona të pambrojtura, do të kenë një kontakt të kontrolluar dhe të mbrojtur”, u përgjigj Osmani.

Por, linja telefonike 0800 55 000, për të cilën Osmani pretendoi se do të jetë në dispozicion çdo ditë nga ora 08:00 deri në orën 18:00, për të ofruar mbështetje nga ana e vullnetarëve për dërgesat për ushqime ose barna nga farmacitë si dhe transport të nevojshëm – falas, sot nuk është e hapur për qytetarët, përkatësisht në të nuk paraqitet askush.

Kujtojmë se koronavirusi, e gjeti Maqedoninë e Veriut në prag të fushatës për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Një ditë pas paralajmërimit të këtyre aktiviteteve të BDl-së, më 17 mars, gjatë takimit të liderëve të thirrur nga presidenti, Stevo Pendarovski, partitë politike vendosën njëzëri që të anulohen zgjedhjet për shkak të pandemisë me koronavirusin.