Qeveria Kurti ndanë 3.5 milionë euro për të subvencionuar pagat e minatorëve të Trepçës

Shpërndaje

Sot, në Mitrovicë, kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, bashkë me ministrat në detyrë, atë të Ministrisë së Ekonomisë, znj. Rozeta Hajdari dhe të Financave e Transfereve, z. Besnik Bislimi takuan punëtorët e Trepça Sh.A. ku përveç diskutimeve të përhershme për rivitalizimin e Trepçës, u kumtua edhe lajmi për ekzekutimin e pagesave të 1280 punëtorëve, ndarjen e subvencionit në vlerë 3.5 milionë euro, dhe fillimin e përgatitjeve për rikthimin e terminalit doganor të Trepçës.

Delegacioni i Qeverisë u mirëprit nga anëtarët e Bordit të Përkohshëm të “Trepça Sh.A”, menaxhmenti i ndërmarrjes, përfaqësues të minierave me flotacion Stan Tërg, Artanë e Kishnicë, dhe përfaqësues të Sindikatës.

Qeveria e Kosovës është duke punuar që problemet sociale të ndërmarrjes të tejkalohen sa më parë dhe që të fokusohemi tek aspekti zhvillimor. Trepça është organizatë e punëtorëve, pasuri kombëtare por edhe industri prodhuese. Roli i kësaj ndërmarrjeje është përtej ekonomik. Është edhe historik dhe shtetndërtues.

Tash është koha kur ne do të punojmë në ide konkrete në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe të horizonteve të saj. Trepça do të jetë pjesë e pakos së dytë fiskale të rimëkëmbjes ekonomike.

Qeveria e Kosovës ka pranuar falënderime nga punëtorët për seriozitetin dhe interesin e saj të treguar ndaj kësaj ndërmarrjeje e cila në të kaluarën është keqpërdorur e shfrytëzuar. Kjo Qeveri është e përkushtuar që të rimëkëmb këtë ndërmarrje.

Lajmi: https://kryeministri-ks.net/kryeministri-ne-detyre-kurti-vizitoi-trepcen-u-kumtua-lajmi-per-ekzekutimin-e-pagesave-te-punetoreve/